Blerja e bujshme e shkodranëve në merkaton e janarit, Abraham Aleçenu, do të ketë shansin t’i tregojë klubit bardheblu, se ka gabuar që nuk i plotësoi kërkesat për ta rikthyer në skuadër. Përpara se nigeriani të firmoste për Vllazninë, ishte pranë akordit me Tiranën. Presidenti Halili dhe trajneri Dede e dëshironin, por nuk ishte i këtij mendimi shefi i klubit, Dimraj. Këtu përfitoi Vllaznia, që e bindi mbrojtësin e majtë të nënshkruante për 18 muaj. Abraham po kalon një formë shumë të mirë dhe ndaj Tiranës ëndërron të shënojë. Të paktën, kështu është shprehur vetë lojtari gjatë bisedave që ka pasur me shokët e ekipit. Nigeriani shihet si “hajmalia” në Shkodër, pasi kudo ku ka shkuar në kampionatin shqiptar ka fituar diçka, kupë ose kampionat, ndaj edhe kuqeblutë besojnë se të paktën do fitojnë Kupën e Shqipërisë këtë sezon, edhe falë kontributit të tij.











