A është z.Binaj një imazh i përpunuar i realitetit?

Oct 27, 2025 | 8:00

REDI SHEHUREDI SHEHU

Opozita me shumë mund, edhe pse me jo shumë dëshirë, arriti në një konsensus që të mbështeste kandidaturën e Florjan Binajt për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Pas orvatjes së Partisë “Mundësia” për të ofruar një kandidaturë të mire si Ermal Hasimja, e cila rezultoi pa sukses, papritmas u shfaq nga asgjëja figura e Binajt si vetofrim politik.

Është pak e vështirë të besohet sinqerisht që një person mund të vetofrohet pa pasur paraprakisht një shkelje syri nga partia më e madhe opozitare, e cila garanton edhe një sasi të mirë votash për të mos e lënë këtë sipërmarrje thjesht në suazat e një aventure turpëruese. Sigurisht, në derexhenë në të cilën opozita dhe sidomos Partia Demokratike ndodhej, kandidatura e Binajt përfaqëson një qasje të re dhe një mënyrë ekologjike për t’iu shmangur ndotjes nga humbja potenciale e radhës. Ajo që e bën diferencën me të shkuarën, është distanca e kandidatit me liderin e opozitës. Bazuar në masën e kësaj distance edhe ne do të mund të projektojmë një ide më të qartë se sa e rastësishme ishte kjo kandidaturë. Pra, sa është Binaj një version i karamelizuar i ish-kandidatit për kryetar bashkie Basha, apo vërtet vetofrimi është real i pavarur dhe një precedent i shkëlqyer për të ardhmen politike të figurave të reja?

Për ta vërtetuar këtë na duhen disa prova, të cilat në të ardhmen do të mund të kemi rastin t’i shohim. Ajo që na bën skeptikë është fakti, se si ka mundësi që në një mjedis të mykur politik nga figura të vjetra që shkëlqyeshëm po kthehen në figura të lashta, ku secili ngushton rrethin e besnikëve të tij, ku të rinjtë kanë gjithmonë e më pak hapësira politike, ku e reja dhe talenti shihen si kërcënim dhe jo si perspektivë, të mund të vetëshpallet krejt i sigurt një figurë e re?!

Megjithatë, fenomeni është krejt pozitiv, pavarësisht ngurrimeve. Në daljet paraelektorale të Binajt vërehet kujdesi për t’u shfaqur me figura shumë të mira të reja dhe me potencial tërheqës elektoral si Ilir Alimehmeti, Ermal Hasimja, Barbara Doda etj., duke dhënë përshtypjen e një ekipit të ri, që duket se vërtitet në një orbitë krejt tjetër nga ajo që jemi mësuar të shohim me figurat e vjetra politike. Në fakt, nuk është hera e parë që ne kemi parë grupe të rinjsh të angazhuar në politikë. Ata shfaqeshin si shpresëdhënës, por që më vonë u përdorën aq keq duke i konsumuar dhe shkatërruar politikisht e mbi të gjitha duke deformuar të kuptuarit tonë për ngjarjet. Me pak fjalë, duke ndërtuar një “hiperrealitet” të stilit të Jean Baudrillard, ku imazhe të reja politike zëvendësojnë origjinalin (dinozaurët e kalcifikuar politikisht) duke u përpjekur për të zhdukur dallimin aparencial mes tyre. Imazhi i ri që shfaqet, pra një soj “simulakre”, një imazh i përpunuar i realitetit, që furnizohet nga shpresa e të gjithë neve për ndryshim, nga intensiteti mediatik bëhet aq real, sa për pak mendon se e vjetra nuk ekziston më.

Kështu, hiperrealiteti i kandidatit të opozitës arrin deri në atë gradë sa emri dhe figura e tij, imazhi Binaj pra, rrezikon në të ardhmen të kthehet në më të rëndësishmin se vetë qëllimi primar për të cilin i gjithë aksioni opozitar zanafilloi për të bashkuar opozitën dhe për t’i dhënë një goditje të fortë politike maxhorancës socialiste. Nëse vetofrimi ka qenë pjesë e një “simulakre”, pra një imazhi të përpunuar të realitetit të Partisë Demokratike, ai shpejt do të shpërbëhet duke mos kryer asnjë funksion.

As opozitën nuk do ta bashkojë, por as edhe maxhorancën problematike nuk do ta tronditë. Por, nëse ky imazh nuk është hiperrealitet, por realiteti vetë i politikës shqiptare, atëherë vërtet ne paskemi kemi bërë aq shumë hapa para, sa nuk ka kuptim asnjë ankesë për klasën e vjetër dhe për fosilizimin e saj disadekadësh si ekskluziviste e skenës tonë politike. Është gjëja më normale të pretendosh të kesh kandidatë dhe figura të reja, sidomos në mesin e humbjes së shpresës për të ndërtuar një realitet të ri politik në Shqipëri. Një figurë e re është gjithmonë një shpresë e re. Z. Binaj është një kandidaturë po aq e mirë në vetveten e vet. Pra, është realiteti me të cilin shpresonin shumë votues, edhe pse përvoja e tij politike nuk është aseti më i fortë i tij. Ama, nëse kjo figurë me ndërgjegje pranon të kthehet nga realitet në hiperrealitet, në një zëvendësues, amnistues dhe detoksifikues i së vjetrës politike në Shqipëri, atëherë do ishte thjesht përsëritja e dështimit të radhës në politikë. Disa prej figurave të reja dhe të votuara brenda Partisë Demokratike po mbajnë një qëndrim realist ndaj lidershipit të vet. Ata po përpiqen të jenë një zë i arsyes brenda nonsesnit që ka marrë udhë në PD.

Përpjekja e tyre po haset në murin prej betoni të lidershipit të vjetër duke vënë në rrezik vetë ekzistencën politike të të rinjve në politikë. Prandaj fenomeni Binaj nuk është thjesht një zgjidhje e radhës në një palë zgjedhje të pjesshme, por është lakmusi, i cili do të tregojë sa Partia Demokratike ka arritur ose jo të dalë mbi veten. Kur partia “Mundësia” ofroi kandidaturën e saj si model i ri, i cili do të duhej të mbështetej nga të gjitha partitë opozitare, kundërpërgjigja erdhi me një vetofrim publik nga kandidati Binaj, që pasoi menjëherë me mbështetjen e PD-së, duke mos i lënë shteg tjetër “Mundësisë” vetëm se të pasonte atë që kishte premtuar, mbështetjen e një kandidati mbi partitë politike.

Kështu, koalicioni opozitar duket se hyn i bashkuar në këtë mbështetje, por me dyshimin që i vërtet tek koka se nëse z.Binaj është vërtet realiteti që të gjithë shpresonim apo kukulla radhës. Pastaj, sa arti do të ndikojë në krijimin e një lideri në politikë? Modeli Zelenski nuk besoj se qëndron për shkak të përmasave të ndryshme të barrës politike që të dy modelet përfaqësojnë. Vetofrimi dhe matja e opinionit të audiencës ndaj këtij vetofrimi duket se nuk u përputhën kurrë. Vetofrimi dhe matja e opinionit brenda militantëve të PD-së po ashtu duket se nuk u përputhën kurrë. Por mbi të gjitha ajo që nuk përputhet më shumë është perceptimi ynë mbi aftësinë e z. Binaj për të mos iu nënshtruar presionit politik ndaj tij. Të gjithë do të donim që kandidatura e z.Binaj të mos ishte një imazh i përpunuar i realitetit ulëritës brenda Partisë Demokratike. Tashmë kandidatura e tij është një realitet. I ngelet atij ta mbajë në këtë parametër duke mos e transformuar në hiperrealitet ku vështirë të dallosh realen nga e sajuara./ Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura