Në vigjilje të zgjedhjeve lokale të 8 majit, pyetja që shtrohej nuk ishte NËSE do të keqpërdorej KQZ-ja, por DERI KU mund të shkonte. Përvoja negative e zgjedhjeve të vitit 2009, ku KQZ-ja refuzoi të hapte kutitë e votave, megjithëse në Kodin Zgjedhor kishte një dispozitë urdhëruese, provoi qartë se organi i konceptuar si garant i zgjedhjeve, vetëm i tillë nuk ishte. Po kështu, diktati dhe vendimmarrjet absurde të shumicës në KQZ, për çështjet që në publik u njohën si vendimi i “kasetave të gatshme për TV” apo i “vulave rezervë”, treguan qartë se sa pak rëndësi do të kishte ligji zgjedhor në raport me urdhrat partiak.
Megjithatë, ajo që po ndodh sot ishte vështirë të imagjinohej para 8 majit, pasi është kapërcyer caku i shkeljes formale të ligjit duke i hapur me “dhunë” kutitë e votave, me qëllim ndryshimin në tavolinë të rezultatit. Të njëjtat kuti votimi që dy vite më parë nuk u hapën, megjithëse e parashikonte ligji.
Dokrrat me mbrojtjen e kushtetueshmërisë duket që nuk i beson as kryetari i KQZ-së, Ristani, kur shprehet me sarkazëm ” po na lini të numërohen votat e popullit të shkretë”! Natyrisht që Kryetari Ristani ka një farë të drejte se “popullit” i takon të ndihet vërtet i shkretë”, kur ditën më diell KQZ-ja e ka aq të lehtë të tallet me të vetmin mekanizëm që e bën “popullin” të jetë pjesë e vendimmarrjes publike, votën e lirë.
Ndërsa palët në proces shpalosin versione diametralisht të kundërta, vlen të lexohet raporti i ODIHR, ku midis të tjerash thuhet:
Pas përfundimit të numërimit në VNV-të për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj, rezultatet paraprake jozyrtare që KQZ-ja ia dha MVZ-së së OSBE/ODIHR-it tregonin se Z.Rama kishte 10 vota më shumë se Z. Basha (përkatësisht 124,623 dhe 124,613 vota)..
Më 18 maj, pas votimit të një vendimi “në parim” (prej 4-3 votash), ndonëse nuk ishte miratuar asnjë vendim përfundimtar, KQZ-ja filloi hapjen e 60 kutive të votimit identifikuar në kërkesë dhe numërimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie dhe këshilli për Tiranën. Për MVZ-në e OSBE/ODIHR-it baza ligjore për hapjen e kutive të votimit ishte e paqartë….
Këto konstatime të ODHIR, me gjithë stërmundimin e eksperteve për të ruajtur një gjuhë të ekuilibruar, janë dukshëm “bërtitëse”, duke pasur parasysh se institucionet ndërkombëtare kanë gjithmonë tendencë zbutëse në trajtimin e problemeve të brendshme të një vendi, të cilat tek e fundit zgjidhen nga të zotët e shtëpisë.
Duke e lënë mënjanë për një çast problemin e hapjes së kutive dhe rivlerësimit të votave në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, kujtdo që ka bërë aritmetikë në 8-vjeçare pashmangshmërisht i lind pyetja : Pse votat e ashtuquajtura “të hedhura në kutinë e gabuar”, nuk kanë të njëjtën tendencë (trend) në përqindje me numrin e përgjithshëm të votave. Thënë ndryshe, nëse 250 mijë votat në Tirane u ndanë me pothuaj me 50 % midis kandidatëve, me vetëm 10 vota plus për Ramën, si ka mundësi që ato “të gabuarat” janë rreth 170 me 80, ose gati 80 % për Bashën!
Ndoshta në të ardhmen Gani Bobi apo ndonjë agjenci sondazhesh tjetër po aq e “besueshme”, mund të sqaronte këtë problem duke provuar me gjuhën e shifrave se midis votuesve pro Bashës ka përqindje më të lartë të daltonizmi (sëmundja që lidhet me paaftësinë për të dalluar ngjyrat) e për këtë shkak votat e “hedhura gabim” janë në favor të tij! Por deri atëherë ngelen vetëm dy teori të logjike dhe të besueshme që e justifikojnë “votimin në kutinë e gabuar”, është plebishitar pro Bashës!
E para dhe më e thjeshta, është manipulimi dhe falsifikimi! Për fat të keq, mënyrat e mundshme të atyre që mashtrojnë dhe falsifikojnë janë të pashterueshme, gjithmonë dalin të reja dhe është përtej mundësisë së çdo analize për ta trajtuar në mënyrë shteruese këtë argument. Në finale rezultati është futja e duarve në kutitë e votimit, (përpara, gjatë ose mbas numërimit në KZQZ) për të nxjerrë rezultatin e sigurt gjatë ri-vlerësimit të votave të “gabuara” në KQZ .
Mundësia e dyta, lidhet me të drejtën e kujtdo për të shprehur vullnetin e tij të lirë edhe duke e bërë të pavlefshme votën, duke e hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar, në të njëjtën mënyrë me atë qytetar që e shkarravit, vendos dy kryqe, e gris etj. Ky ndoshta mund të ketë qenë opsioni për punonjësit e administratës, që kanë votuar nën trysninë e humbjes së vendit të punës dhe duke pasur parasysh mosbesimin popullor ndaj “fshehtësisë së dhomës së fshehtë”. Hedhja në kutinë e gabuar për ta bërë të pavlefshme votën, ngelej mënyra e vetme për të ushtruar të drejtën e vullnetit të lirë.
Sikur të mos mjaftonte tabloja e shkeljes së dhunshme ligjore, përmasa po aq trishtuese paraqet ajo e degradimit moral, të atij që duhet të ishte model i dialogut ligjor dhe institucional, kur kryetari Ristani u drejtohet përfaqësuesve ligjor të opozitës me shprehjet : o qesharakë, mbylljani atij qerosit, lëshohuni etj.
Për fat të keq, dhuna verbale apo “tek kapja prej zhelesh” e opozitës, është fenomen i njohur gjatë qeverisjeve të PD-së. Në mandatin e parë ’92-’97, ky fenomen kulmoi në tërheqjen zvarrë të drejtuesve të opozitës në sheshin Skënderbej, në maj 1996, mbasi KQZ certifikoi fitoren e PD në zgjedhjet e përgjithshme mbi 90 %!
Për ironi, 13 vjet më pas, e njëjta histori u përsërit në zgjedhjet e vitit 2009 dhe me sa duhet edhe në ato lokale të vitit 2011. Përsëri protagoniste është KQZ-ja. Ndryshimi i sotëm nga viti ’96, është se policia i kursen drejtuesit dhe mjaftohet me zvarritjen e përkrahësve të opozitës, ndërsa KQZ-ja nuk i nxjerr më 90 % fitues, por mjaftohet më 51 %.
Pavarësisht, nga çdo lloj analize logjike apo ligjore, shumica në KQZ vijon të hapë kutitë dhe të numërojë votat e pavlefshme dhe me siguri kur të ketë dalë ky shkrim, do të kemi edhe një vendim të miratuar 4 me 3 të tabelës së ndryshuar të rezultatit, që shpall Bashën fitues në Tiranë. Një vendim që do të merret nga KQZ-ja e motivuar nga parimin, “s’ka pikë rëndësie procesi ligjor, por vetëm rezultati”.
Do të ishte humbje kohe të mendoje që kjo KQZ e delegjitimuar të mund të shqyrtonte me objektivitet ankimin e PS dhe të “zhbënte” katrahurën që vetë krijoi. Sigurisht që kjo do të ndodhte nëse do të urdhërohen politikisht, por ka pak gjasa që kjo tragji-komedi të mbyllet në KQZ!
Si gjithmonë, gjykata ngelet shpresa e fundit për të rivendosur ligjshmërinë në një proces, ku militantizmi politik ka fituar mbi shtetin e së drejtës. Vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2009 për moshapjen e kutive të votimit, ndërsa ligji e parashikonte në mënyrë laksative, është sigurisht ogur jo i mirë edhe për këtë proces zgjedhor. Megjithatë, ngelet të shpresojmë se në ndryshim nga të mandatuarit politik për 4 vite në KQZ, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit nuk do mund të shkojnë përtej disa limiteve profesionale dhe qytetare. Në respekt të vetes dhe profesionit të nderuar, por edhe të Kushtetutës, të cilën janë betuar se do ta respektojnë.
© Panorama.al












