Ish-kryetari i Kuvendit të parë pluralist, Kastriot Islami, ka takuar dje pas 20 vitesh ish-liderin e fundit komunist të Bashkimit Sovjetik, Mikael Gorbaçov.
Islami rrëfen për “Panorama” bisedën me Gorbaçov në zyrën e Kryetares së Kuvendit.
Në takimin që Mikael Gorbaçov ka pasur me Kryetaren e Kuvendit ju keni qenë prezent; Pas sa vjetësh ritakoheni me të?
Ka qenë kënaqësi të më jepet mundësia të takoj ish-presidentin e Bashkimit Sovjetik, njeriun që u hapi rrugën ndryshimeve të mëdha në kampin e vendeve ish-komuniste, pikërisht pas 20 vjetësh në Tiranë, në zyrën e Kryetares së Kuvendit, znj. Topalli. Ishte një ritakim me emocione dhe shkëmbim kujtimesh.
Kur dhe në ç’rrethana jeni takuar me Gorbaçovin?
Gorbaçov ishte president i Bashkimit Sovjetik, pikërisht në atë periudhë kur ende nuk kishte filluar procesi i zbërthimit të bashkimit më të madh të vendeve komuniste. Në qershor të vitit 1991 jam takuar në Moskë me Mikael Gorbaçov gjatë një vizite zyrtare si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Në delegacion ishin edhe dy kryetarë të grupeve kuvendore, Ali Spahia dhe Namik Dokle. Takimi u zhvillua në një zyrë pune të tij, në Moskë.
Çfarë u përsërit apo u kujtua në takimin e djeshëm midis jush?
Duhet të falënderoj zonjën Topalli, që më ftoi në këtë takim dhe natyrisht më dha mundësi të sjell një kujtesë të shkurtër në këtë takim. Gorbaçov u befasua kur i thashë se pas takimit në Moskë në mesin e vitit 1991, dy javë më pas, drejtuesve të lartë të shtetit rus, kryetarit të Dumës, Zv.presidentit dhe të tjerëve, u bënë grusht shteti. “Askush nuk mundi ta ndalonte atë grusht shteti”, tha ai. I thashë që më treguat atëherë se po punonit në tri drejtime, 1) bazuar në perestrojkën po hartonit një reformë në fushën ekonomike për të dalë nga kriza ku ju kishte futur ekonomia e centralizuar; 2) bazuar në gllasnost një grup pune po përpiqej të hartonte një program për transformimin e Partisë Komuniste; dhe 3) një grup tjetër po punonte për të caktuar rregulla të reja për ruajtjen e Bashkimit Sovjetik. Po “ju nuk mundët t’i realizoni këto synime, sepse pas dy javësh ju bënë grushtin e shtetit dhe u detyruat të largoheshit”; Gorbaçov pranoi se gjërat më tej u zhvilluan më shpejt se ç’mendohej. I kujtova se më kishte thënë që “për shkak se të gjithë më kritikojnë, edhe konservatorët se po eci shumë shpejt dhe reformatorët se po eci shumë ngadalë, më duhet të eci si akrobati në tel”, dhe natyrisht më tej “konservatorët duke bërë grushtin e shtetit sikur e fituan betejën”.
Si reagoi Gorbaçovi?
Tha se fitorja e tyre ishte e përkohshme, se pastaj erdhi Jelcini dhe rezultati ishte vetëm largimi im. Natyrisht që fitorja e konservatorëve të vjetër ishte largimi i njeriut që kishte filluar transformimin.
Çfarë u bisedua tjetër gjatë takimit?
Duhet të jem korrekt se takimi ishte në zyrën e zonjës Topalli dhe i takon asaj të flasë më shumë për takimin. Por po mbetem vetëm në një anekdotë që ai tregoi. Gjatë një takimi me Regan, e kishte pyetur: “sa liri keni ju në BS?” dhe Gorbaçovi i ishte përgjigjur po me pyetje: “Po ju në SHBA?” Regan i ishte përgjigjur: ”Në rast se përpara Shtëpisë së Bardhë dikush thërret ‘poshtë Regan” ne nuk i bëjmë asgjë”. Dhe Gorbaçovi i përgjigjet: “Edhe nëse dikush në Sheshin e Kuq në Moskë thërret “poshtë Regan”, ne nuk i themi asgjë”. Gorbaçovi ishte i ndërgjegjshëm për situatën në BS para rënies së komunizmit.
Kush e shoqëronte Gorbaçovin në këtë vizitë?
Kishte disa veta, natyrisht të lidhur edhe me qëllimin e vizitës, që ishte Kampionati Botëror i Shahut për Femra. Por ajo që ai kishte pikën më të dobët, ishte mbesa e tij, Ksenia. Dhe ai tregoi se Ksenia kishte një vajzë të vogël Sasha, pra një stërmbesë 4 vjeçe, që ishte personi më i rëndësishëm i familjes Gorbaçov. Ksenia ishte personi që merrej me marketingun dhe kishte mbaruar marrëdhëniet ndërkombëtare në Moskë. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Ksenia kishte vendosur të shpërndante një çmim me emrin Gorbaçov për të gjithë ata që sjellin ndryshim, duke pasur parasysh se Gorbaçovi ishte sipas tyre simboli i ndryshimit. Kjo ishte dhurata që kishin vendosur t’i bënin.
Aristir Lumnezi











