
Drejtorët e shkollave nëntëvjeçare do të futen në sitë për aftësitë profesionale. Brenda muajit nëntor, ata do t’i nënshtrohen konkursit. Gjithçka e bëri me dije dje në Komisionin Parlamentar të Edukimit ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sipas tij, konkurset për drejtuesit e institucioneve arsimore do të zhvillohen për të shmangur abuzimet që bëhen në Tiranë dhe rrethe, në caktimin në krye të shkollave të njerëzve jo të kualifikuar. Kjo deklaratë erdhi pas një akuze të ngritur nga deputeti socialist Alfred Dalipi. Ai theksoi se në disa rrethe të vendit, në krye të arsimit po vihen njerëz që nuk kanë arsimin e duhur, por që plotësojnë kërkesat selektive të qeveritarëve. “Emërimet e bëra në shkollat e mesme sot, nuk i ngjasojnë as atyre të viteve ‘45, kur nuk kishte personel të kualifikuar. Konkretisht, mësues me eksperiencë dhe profil biokimi janë zëvendësuar me veterinerë”, tha Alfred Dalipi. Menjëherë reagoi kreu i Arsimit, i cili pranoi se korrupsioni ekziston. “Nuk mund të them që ne nuk kemi korrupsion në emërime dhe vazhdojmë të monitorojmë të gjitha emërimet që bëhen në zyrat rajonale. Në muajin nëntor do të bëhen konkurset për emërimin e drejtorëve”, tha Tafaj. Ai shtoi se reformat në arsim janë të përqendruara në përmirësimin e teksteve. “Nuk mund të mohohet që librat shkollorë kanë ende probleme. Unë mendoj se cilësia e teksteve është rritur, po nuk mund të them se cilësia e teksteve është aty ku duhet të jetë. Problemi i librave të shkollave dhe teksteve të shkollave është një problem tashmë global”, vijoi Tafaj. Në Komisionin Parlamentar të Edukimit u diskutuan edhe çështje të tjera, si arsimi i fëmijëve në zonat e thella malore, apo probleme të arsimit të lartë. Ministri i Arsimit tha se reformat janë në proces dhe sistemi është drejt ndryshimeve të vazhdueshme.
NDRYSHIMET E MATURËS
Matura Shtetërore do të jetë më e ngarkuar vitin që vjen. Maturantët do të duhet të japin edhe dy provime të tjera të detyruara, njëri prej të cilëve është gjuha angleze. Sipas drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, nuk do të ketë më korrigjime me dorë, por kontrolli i testeve do të kryhet në mënyrë dixhitale. Kjo metodë do të shkurtojë kohën e daljes së rezultateve.
ZIRINA LLAMBRO











