30-0 në shtëpi, rekord historik i Barcës në kampionat

Nov 21, 2011 | 11:07

Nëse sulmuesit e ekipit katalanas meritojnë një dhjetë, edhe mbrojtja, gjithashtu. Numrat e Barcelonës në këtë kampionat, në ndeshjet e luajtura në shtëpi, janë thjesht mahnitës. Pas 12 javësh kampionat, Barcelona nuk ka pësuar asnjë gol në fushën e vet, ndërsa ka realizuar plot 30 gola. Pra, golaverazhi që ka në “Camp Nou” është 30-0, një shifër që do ta donte cilido ekip në botë. Kjo është një ngjarje e veçantë edhe në historinë e “La Liga”-s. Fitorja e korrur të shtunën në mbrëmje ndaj Zaragozës ka shërbyer për t’i kapërcyer “markat”, që kishte vetë klubi katalanas, në këtë drejtim, të sezoneve 1986-1987 dhe 1979-1980, edhe atë të Getafes në 2006-2007, kur nuk kishin pësuar asnjë gol në gjashtë ndeshjet e para të luajtura në shtëpinë e tyre. Meritë e këtij rekordi të dhënash nuk mund të konsiderohet një lojtar i vetëm. Nëse Barcelona e ka arritur këtë shifër, meritë kanë të gjithë, që nga portieri e deri te lojtari më i avancuar, në sulm, që kanë bashkuar forcat. Ky sukses i Barcelonës shtrihet në të tria repartet e lojës, ndërsa kujtojmë se ekipi katalanas ka 10 ndeshje kampionati pa pësuar gol, brenda dhe jashtë fushe, një shenjë tjetër kjo për efikasitetin e lartë në lojën mbrojtëse.

© Panorama.al

Te lidhura