Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar dhe akuzuar kreun e PD-së për shmangie nga drejtësia, pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili tha se nuk ka marrë një fletëthirrje nga SPAK për t’u paraqitur në kuadër të hetimeve të 21 janarit.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balla shkruan se sipas deklarimeve të bëra publike, rojet e banesës dhe sekretaritë e institucioneve ku Berisha ushtron detyrat e tij politike kanë refuzuar të marrin dokumentacionin e prokurorisë.
“Drejtësia (Prokuroria e Posaçme) i paska çuar njoftimin tek shtëpia, “rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Gjithashtu ia paska dërguar njoftimin në dy vendet e punës, sekretaria e Grupit dhe Partisë “refuzon të marrë njoftimin”. Çfarë turpi, për këtë dhe ata që e rrethojnë, të cilët për çdo rast tjetër mezi presin të tundin njoftimet e të tjerëve”, ka shkruar Balla.
Më tej, deputeti socialist thekson se procesi gjyqësor për ngjarjet e 21 Janarit, tashmë i rihapur përbën “testin e së vërtetës” për drejtësinë shqiptare.
Reagimi i Ballës
Thënia e mençur se “gënjeshtari, frikacaku dhe i keqi nuk fshihen dot gjatë — e vërteta i zbulon vetë”, i shkon fiks këtij 🦉 bufit. Drejtësia (Prokuroria e Posaçme) i paska çuar njoftimin tek shtëpia, “rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf”. Gjithashtu ia paska dërguar njoftimin në dy vendet e punës, sekretaria e Grupit dhe Partisë “refuzon të marrë njoftimin”. Çfarë turpi, për këtë dhe ata që e rrethojnë, të cilët për çdo rast tjetër mezi presin të tundin njoftimet e të tjerëve.
Një gjë është e qartë se falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është testi i së vërtetës për drejtësinë shqiptare. Koha kur Policia nuk zbatonte urdhërat e Prokurorisë nuk do të kthehet më kurrë. Ajo kohë ka perënduar bashkë me vdekjen politike të katranit me bojë.
© Panorama.al












