’21 janari’, Sekui: Hetim i pavarur dhe drejtësi

Jan 24, 2012 | 12:08
Nga protesta e 21 janarit

TIRANË- Ambasadori i BE-së, Etore Sekui ka ritheksuar sot mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshme, duke shprehur njëherësh besimin se gjyqësori do ta bëjë më së miri punëne vet për zbardhjen dhe vendosjen e drejtësisë për 21 janarin.

Në përgjigje të interesit të medias për cështjen në fjalë, Sekui ka pranuar se i ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet e djeshme, deklaratën e kryeprokurores Ina Rama, ambasadorit të SHBA, Arvizu, zëdhënëses së kryeministrit dhe reagimin e opozitës.

Ai ka kujtuar deklaratën e përbashkët me SHBA dhe OSBE për 21 janarin, duke theksuar domosdoshmërinë e zbardhjes së plotë të ngjarjeve. “Si e kemi thënë është e rëndësishme që ky hetim të jetë gjithëpërfshirës, i pavarur dhe pa ndërhyrje politike. Shqiptarët presin që të vendoset drejtësia. Po ashtu kemi thënë që ne presim që hetimi të vazhdojë mes zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri, ne e mbështesim këtë dhe kemi besim të plotë te Prokuroria e Përgjithshme. Ne kemi besim që gjyqësori në Shqipëri do ta bëjë punë e vet që të jepet drejtësia”- tha ai.

Sekui ka shtuar më tej se BE e ka thënë gjithnjë nevojën e sundimit të ligjit, pasi me të ecet përpara drejt BE, por kjo është edhe ajo që presin shqiptarët.

© Panorama.al

Te lidhura