Prokuroria apelon vendimin për 3 të akuzuarit

Jan 30, 2012 | 13:10
Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc Gjokutaj dje ne gjyq

TIRANË- Prokuroria ka apeluar sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë për tre të akuzuarit e 21 janarit.

Organi i akuzës pas mbërritjes së ekspertizës nga FBI, në vijim të hetimeve për 21 janarin ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish kreun e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij, Margarit Kume dhe specialistin e IT pranë Kryeministrisë, Armando Kasaj.

Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Tiranës ka vendosur që tre të akuzuarit nga prokuroria t’i lërë në “arrest shtëpie”, duke mos marrë parasysh kërkesën e akuzës.

Sipas organit të akuzës, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt gjatë demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011 përpara Kryeministrisë.

Bazuar në hetime dhe në përfundimet e sjella nga FBI-ja, prokuroria i kërkoi gjykatës masën e sigurisë “arrest me burg” për Prendin. Nga ana e saj, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

E njëjta masë u caktua edhe për Margarit Kumen, shoferin e Prendit, dhe Armando Kasën, IT-në e Kryeministrisë.

“Nga aktet provohet tej çdo dyshimi se personi në hetim, shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në turmë me armën ‘Beretta’ me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, që i përket armatimit të tij personal. Si pasojë e të shtënave prej tij është vrarë me armë shtetasi Faik Myrtaj dhe u është rrezikuar jeta shumë personave të tjerë që kanë qenë pranë viktimës dhe në atë pjesë të bulevardit që ndodhet midis portës së Kryeministrisë dhe ndërtesës së UNHCR-së”, thuhej në kërkesën e prokurorisë, me anë të së cilës i kërkoi gjykatës “arrest me burg” për Prendin.

© Panorama.al

Te lidhura