Prokurori amerikan Mike Cain, i cili asistoi Prokurorinë shqiptare në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, është larguar nga Shqipëria. Pas një qëndrimi 2-javor në Shqipëri, ditën e djeshme është konfirmuar se prokurori amerikan është kthyer në SHBA. Për rreth dy javë, së bashku me dy ekspertë amerikanë, ai asistoi Prokurorinë shqiptare në realizimin sa më të mirë të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Prokuroria shqiptare u përqendrua fillimisht tek vrasja e demonstruesve, duke nxjerrë një ditë pas ngjarjes, 6 urdhra ndalimi për krerët e Gardës, ndërsa më pas, hetimet u shtrinë edhe në drejtim të dhunës së ushtruar ndaj policisë e Gardës, si dhe shkatërrimit të pronës publike e private. Prokurori amerikan mbajti raporte me të gjitha palët e përfshira në hetim.
Ai asistoi prokurorinë me ndihmë teknike dhe ligjore, duke ofruar metodat më të mira të hetimit, përfshi kryerjen e ekspertizave, ekzaminimeve dhe fiksimit të provave në vendin e ngjarjes. Pas largimit të prokurorit amerikan, organi i akuzës është duke u ndihmuar nga dy ekspertë të hetimeve penale. I pyetur nëse është larguar prokurori amerikan, zëdhënësi i ambasadës së SHBA në Tiranë, deklaroi dje për gazetën “Panorama” se: Ekspertë të FBi po këshillojnë Prokurorinë shqiptare për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Plator Nesturi, i pyetur dje nga gazeta “Panorama”, tha se nuk bëhej fjalë për një prokuror amerikan. “Është fjala për atasheun e FBI-së. Ai është kthyer në SHBA, por në vazhdimësi do të jetë në kontakt dhe do marrë informacion mbi çdo nevojë që do të ketë grupi shqiptar i hetimit. Mbi bazën e këtyre nevojave, ai mund të vendosë në dispozicion ekspertët përkatës për veprimet e mëtejshme hetimore”, tha Nesturi. Prokuroria e Tiranës po i vazhdon hetimet në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, ndërkohë që katër gardistë mbahen të arrestuar. Ndaj Agim Llupos, i cili akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit, është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” ndërkohë që për tre gardistë të tjerë, gjykata ka caktuar 1 muaj burg deri në verifikimin e rolit të tyre në ngjarje. Edhe gjashtë gardistë të tjerë janë duke u hetuar në gjendje të lirë nga Prokuroria, e cila ka ngritur ndaj tyre akuzat për “vrasje në rrethana të cilësuara”, “shpërdorim detyre” dhe “tejkalim kompetencash”. Nga ana tjetër, në paraburgim ndodhen tre persona të akuzuar për goditjet ndaj efektivave të policisë dhe për shkatërrimin e pronës publike (rrethimin dhe portën e kryeministrisë), si dhe dëmtim të pronës private (djegia e automjeteve rrotull Piramidës).
Hetimi
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet, kryesisht duke filluar me veprimet në vendin e ngjarjes, mbrëmjen e 21 janarit, pas vrasjes së tre personave. Organi i akuzës, ka dokumentuar tashmë edhe rastin e Aleks Nikës, viktima e katërt e ngjarjes, që gjeti vdekjen disa ditë pas ngjarjes, gjatë kurimit në Turqi. Po kështu, Prokuroria ka dokumentuar edhe plagosjen e personave civilë dhe efektivave të Gardës e policisë.
Ndihma
Pak ditë pas ngjarjeve të 21 janarit, Prokuroria shqiptare kërkoi ndihmën dhe praninë e ekspertëve të SHBA për zbardhjen e ngjarjes. Mbi bazën e kësaj kërkese, Ambasada Amerikane në Tiranë dha ndihmën e saj. Ambasadori Aleksandër Arvizu u shpreh se hetimi duhet të jetë i plotë dhe i gjithanshëm. Pak ditë pas kësaj deklarate, prokurorët shqiptarë u ndihmuan nga një prokuror amerikan dhe dy ekspertë të FBI.
© Panorama.al











