Efektiva të Policisë Shkencore dhe Laboratorit qendror të Kriminalistikës janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me hetimet që po zhvillohen rreth “pengimit në zbulimin e së vërtetës” në dosjen e ngjarjeve të 21 janarit. Sipas burimeve nga Prokuroria, punonjësit e nivelit bazë në Laboratorin Kriminalistik të policisë janë marrë në pyetje në lidhje me procedurat e ndjekura me armët që u dërguan për ekspertizë pas bllokimit në Gardën e Republikës, ditë pas ngjarjes së 21 janarit. Prokuroria mësohet se është munduar të saktësojë nëse ka pasur hyrje personash të jashtëm në laborator gjatë kryerjes së ekspertimeve dhe nëse verifikimi i armëve u është nënshtruar procedurave standarde të ekspertimeve. Ditët e fundit, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka marrë në pyetje në lidhje me këtë hetim edhe sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Gjergj Lezhja. Ai është pyetur në lidhje me administrimin e serverit të Këshillit të Ministrave, i cili ka qenë i lidhur me kamerat e godinës së Kryeministrisë. Menjëherë pas vrasjes së tre personave (Aleks Nika vdiq më pas në Turqi) dhe plagosjes së disa të tjerëve, prokuroria kërkoi imazhet filmime të Kryeministrisë, pasi godina qeveritare ruhet me një sistem kamerash vëzhguese rreth e qark saj. Serveri që komandonte kamerat iu dorëzua organit të akuzës, mirëpo prokuroria deklaroi se në kompjuterin në fjalë nuk u gjetën imazhet dhe as videot që priteshin. Pas verifikimeve shtesë u pretendua se materialet ishin fshirë nga serveri (kompjuteri) qendror i Kryeministrisë. Pas pretendimeve për prekjen e përmbajtjes së kompjuterit, pajisja u dërgua për verifikime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ditët e fundit nga SHBA ka mbërritur përgjigjja që sipas prokurorisë, konfirmon faktin se disa orë pas 21 janarit, në serverin e Kryeministrisë është ndërhyrë me kopjim e fshirje të materialeve që ekzistonin dhe me riformatim total të kompjuterit, çka ka zhdukur gjithçka që ishte regjistruar më parë.
74 arme
zjarri janë sekuestruar nga Prokuroria te Garda e Republikës menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit. Prokuroria kërkoi armët që mbanin në shërbim gardistët ditën e ngjarjes.
Ekspertiza zbuloi një vrasje
Prokuroria ka sekuestruar më shumë se 74 armë automatikë dhe pistoleta në Gardën e Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit. Nga këto armë vetëm njëra prej tyre rezultoi se përputhej me predhën që ishte gjetur në trupin e shtetasit Ziver Veizi. Për këtë vrasje u akuzua gardisti Agim Llupo, i vetmi që ndodhet në paraburgim, në pritje të gjykimit. Ndërkohë, asnjë nga armët tjera të marra te Garda e Republikës nuk rezultoi të përputhej me vrasjen e tri viktimave të tjera që humbën jetën në demonstratë.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











