Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Pro-kurorisë së Tiranës për rikthimin në burg të Mark Nikollit, një prej gardistëve të arrestuar pas demonstratës së dhunshme 21 janarit në kryeqytet.Hetimi ndaj tij do të vazhdojë teksa ai është në masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në fuqi vendimin e dhënë nga Apeli i Tiranës, i cili liroi nga qelia gardistin Nikolli. Efektivi i Gardës së Republikës, Mark Nikolli, u cilësua nga prokuroria si një nga pjesëtarët e “grupit të zjarrit”, të cilët kanë qëlluar me armë gjatë zhvillimit të demonstratës. Nën këtë dyshim ndaj tij u kërkua masa e arrestit 30 ditë burg dhe pas përfundimit të kësaj mase, ai u la i lirë. Para arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg, me afat 30 ditë”, vendim që u prish nga Apeli pak ditë më pas. Prokuroria e kishte kërkuar këtë masë me argumentin që gardistët të mbaheshin 30 ditë në arrest e më pas të liroheshin nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendeshin prova. “Gjykata e Lartë vendosi lënien në fuqi të vendimit të datës 2 mars 2011 të Gjykatës së Apelit”, thuhej në dispozitivin e vendimit të djeshëm Gjykatës së Lartë, referuar vendimit që i dha lirinë gardistit Nikolli dhe dy kolegëve të tij. Burime pranë Gjykatës sqaruan se përfaqësuesi i akuzës në proces i kërkoi Gjykatës prishjen e vendimit të Apelit. Nga ana e tij, avokati mbrojtës i të pandehurit Nikolli i ka kërkuar Gjykatës lënien në fuqi të vendimit të Apelit. Para Kolegjit Penal, mbrojtësi i Nikollit ka pretenduar mungesën e provave nga ana e organit të akuzës. “Nuk është vërtetuar shkencërisht nëse plumbat e dalë nga arma e klientit tim të kenë lënduar ndokënd nga protestuesit”, mësohet të ketë pretenduar avokati. Po sipas avokatit, afati 30-ditor i masës shtrënguese “arrest me burg me afat” ndaj klientit të tij kishte përfunduar. Rekursi i Prokurorisë ndaj gardistit Mark Nikolli u depozitua në Gjykatën e Lartë njëkohësisht me rekursin ndaj Gazmend Ahmetajt dhe Sadik Çelës. Ndaj tyre, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi më 7 shkurt të këtij viti masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor. Ankimi ndaj këtij vendimi në Apelin e Tiranës më 2 mars e ndryshoi këtë masë. Për shkak të mangësisë në provat që faktonin përfshirjen e tyre në vrasjet, apo plagosjet e ndodhura gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, Gjykata e Apelit caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Seancat gjyqësore të shqyrtimit të rekursit për dy gardistët e tjerë, Ahmetaj dhe Çelaj, pritet të zhvillohen ditët në vijim. Për të tre efektivat e Gardës, gjykatat kanë vlerësuar se Prokuroria ka dështuar të sigurojë prova të reja në 30-ditorin e mbajtjes së oficerëve në qeli. Madje, ata janë mbajtur në burg dhe në përfundim të afatit të kërkuar në gjykatë nuk janë paraqitur prova të reja. Për këtë shkak, gjykata ka vendosur ndjekjen penale të gardistëve në gjendje të lirë.
Rekurset në Gjykatë
Gazmend Ahmetaj, efektiv i Gardës
Mark Nikolli,
efektiv i Gardës
Sadik Çela,
efektiv i Gardës
Grupi i zjarrit
Prokuroria e Tiranës, gjatë hetimeve të saj ka identifikuar katër efektiva të Gardës së Republikës të emëruar si pjesë e grupit të zjarrit që kanë shërbyer pranë Kryeministrisë më 21 janar. Organi i akuzës ka provuar se efektivat në fjalë kanë kryer qitje me plumba luftarakë. Po kështu, organi i akuzës ka kryer ekspertiza që tregojnë edhe numrin e të dhënave nga secila armë e gardistëve. Nga ana tjetër, me ekspertizë është konfirmuar se armët e këtyre katër efektivave të Gardës nuk përputhen me predhat e gjetura në trupin e asnjërit prej viktimave.
Armand Bajrami
© Panorama.al











