“21 janari”, 14 gëzhoja s’janë të armëve të Gardës

Dec 28, 2011 | 14:23
Nga ngjarjet e 21 janarit

Ngjarjes së 21 janarit të këtij viti, ku mbetën të vdekur katër qytetarë, i shtohet edhe misteri i 14 gëzhojave, të cilat nuk përputhen me armët e Gardës së Republikës. Historia është e thjeshtë. Në materialin e akuzës së prokurorisë thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur 131 gëzhoja arme zjarri. Duke ku referuar ekspertizave balistike, prokuroria thekson se pranë Gardës së Republikës u sekuestruan 51 automatikë 9mm, të cilët rezultuan se kishin kryer qitjen e 117 gëzhojave që u gjetën në vendin e ngjarjes. Një numër prej 14 gëzhojash të gjetura në skenën e krimit nuk janë përputhur me armët e sekuestruara pranë Gardës së Republikës. Në materialin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës nuk jepet asnjë sqarim se kujt i përkasin gëzhojat në fjalë dhe cila mund të jetë arma që i ka qitur ato. Ja çfarë shkruhet në dosjen e prokurorisë: Në datën 21.01.2011, subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e një demonstrate në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 14:00, duke u marrë dhe leja përkatëse pranë organeve kompetente. Ky subjekt më parë kishte njoftuar për kalimin e stadit të “tubimit” nga “protestë” në “demonstratë”. Personat në hetim, gardistë të Republikës, ishin armatosur me “armë zjarri krahu” dhe bënin pjesë në grupin e mbështetur të efektivit të Gardës së Republikës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë. Rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin; po kështu, pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues, e pikërisht shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika. Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e këtyre shtetasve gjatë demonstratës ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të të gjitha armëve të përdorura nga efektivët e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se: nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm të sekuestruar te Garda e Republikës. Prokuroria ka sekuestruar te Garda e Republikës, siç është thënë, edhe të paktën 20 pistoleta, por në dokumentin e akuzës për “grupin e zjarrit” nuk përmendet që 14 gëzhojat që nuk kanë dalë të automatikëve t’u përkasin pistoletave. Aktualisht, me kërkesë të prokurorisë, disa pistoleta të Gardës së Republikës, gëzhojat dhe serveri i kamerave të Kryeministrisë, janë analizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në dokumentin në fjalë nuk përmendet ndonjë fakt sa u përket gëzhojave dhe ekspertizave të armëve. Mister ka mbetur edhe vrasja e Aleks Nikës dhe Faik Myrtos, predhat e të cilëve janë gjetur në kufoma, por nga ekspertizat nuk janë përputhur me armët e Gardës së Republikës.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura