Rritja e mirëqenies përmes punësimit, pagave dhe shërbimeve më të mira, si dhe normalizimi i çmimeve, janë prioritetet në projektin që kandidati demokrat Lulzim Basha ofron për Tiranën.Gjatë një takimi me punonjëse në një fabrikë fasone, ai garantoi politika mbështetëse për gratë në marrëdhënie pune, ku një ndër to është edhe hapja e shkollave dhe kopshteve gjatë verës. “I njohim problemet dhe do të punojmë fort për t’i zgjidhur ato. Duke filluar nga hapja e vendeve të reja të punës, te kushtet më të mira në punë, rroga më të mira, kushte më të mira për të lëvizur, kushte më të mira jetese. Ne do bëjmë kopshte me drekë dhe kopshte vere, që kur mami të jetë në punë, fëmijët të jenë me shokët. Unë ju premtoj se do të rri në krye të punëve të qytetit dhe nuk do të merrem as me sherre, as me konflikte politike”, tha kandidati demokrat, i cili më pas është takuar më një grup studentësh. Basha premtoi se nën drejtimin e tij, Bashkia do të ndihmojë në krijimin e mundësive për praktikën e studentëve, pasi në këtë mënyrë shtohen edhe mundësitë për punësimin e tyre. “Sot në Tiranë ka njerëz që janë pa punë dhe që kanë kualifikime, sikundër sot, në këto momente që flasim, bizneset kërkojnë njerëz të kualifikuar për një numër të madh punësh. Bashkëpunimi me universitetet nga njëra ana dhe me botën e biznesit nga ana tjetër, do t’i japë Bashkisë mundësinë të luajë një rol aktiv në shkëmbimin e informacionit. Unë premtoj se Bashkia do të angazhohet fuqimisht për të siguruar praktika pune jo vetëm brenda Bashkisë, jo vetëm brenda institucioneve bashkiake, por kudo në botën akademike, në institucionet e tjera shtetërore dhe në veçanti në botën e korporatave, në botën e biznesit. Çelësi i të gjithave mbetet krijimi i vendeve të reja të punës, dhe krijimi i vendeve të reja të punës do të jetë prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës nën drejtimin tim”, u shpreh Basha para studenteve.
Përveç punësimit, Basha parashikon edhe lehtësira të tjera për studentët, siç është karta studentore, e cila do t’u vihet në dispozicion duke nisur nga muaji shtator. Një takim tjetër i djeshëm i Bashës ka qenë edhe ai me banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 8, në Tiranë. Ata kanë denoncuar abuzimin me pronat dhe moslejimin e zhvillimit të saj, gjatë bashkëbisedimit që patën me Bashën. Sipas tyre, Bashkia dikujt i ka dhënë leje për të ndërtuar pallate shumëkatëshe, e të tjerëve as për të riparuar shtëpitë e tyre që janë në prag shembjeje. Banorët kanë shprehur shqetësimin edhe për infrastrukturën rrugore, punësimin etj. Pasi i ka dëgjuar me radhë, Basha ka garantuar se projekti i tij për zhvillimin e Tiranës nis pikërisht nga lagjet dhe se do të respektohet dhe vlerësohet drejt prona e gjithsecilit. “Të jeni të sigurt që do të bëj gjithçka për të kthyer jetën dinjitoze për secilin prej jush dhe vlerën e pronës së gjithsekujt këtu. Në planin e ri urbanistik do të merret e gjithë njolla e zonës dhe çdo pronari, çdo centimetër katror do t’i vlerësohet dhe shumëfishohet vlera në mënyrë proporcionale. Jo një pronari t’i bjerë pallati dhe një tjetër të jetojë në lagështirë. Zhvillimi i Tiranës do të nisë nga lagjet e Tiranës”, u shpreh Basha.
“Mos paguaj taksë nëse nuk ka shërbim”
Në Njësinë Bashkiake Nr. 2 Basha është njohur me zhvillimin pa plan të kësaj zone. Pallate të ndërtuara aq pranë njëri-tjetrit, sa është e pamundur të hyjë zjarrfikësja apo ambulanca. Gjithashtu, banorët i kanë bërë me dije Bashës se në këtë lagje mungojnë trotuaret, hapësirat e gjelbra, pastrimi, edhe pse Bashkia mbledh çdo taksë. “Duke filluar nga data 9 maj do të kthejmë normalitetin, siç e dimë ne. More taksën, jep shërbimin, përndryshe mos paguaj taksë”, u shpreh Basha. Edhe pse kanë pasur fatin që në pronat e tyre të ndërtohen pallate, banorët kanë shprehur shqetësimin e mungesës së hipotekave, për të cilat Basha i ka garantuar se do t’ua japë brenda 6 muajsh.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











