Shkeljet në Korçë, Halimi: Të ndëshkohen 12 prokurorë

Aug 8, 2012 | 12:55
Eduard Halimi

Ministria e Drejtësisë i ka rekomanduar prokurores së Përgjithshme Ina Rama fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë të Prokurorisë së Korçës.

Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që shtrirja e masave disiplinore ndaj një numri të tillë prokurorësh “shkrin” krejt organin e akuzës në Korçë. Kjo pasi Prokuroria e këtij qyteti, duke përjashtuar Task- Forcën, ka pikërisht 12 prokurorë. Sipas burimeve, bëhet fjalë 12 përfaqësues të akuzës, të cilët janë gjetur me një “mal” me shkelje procedurale nga një kontroll i Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2011.

Një kopje e raporti me shkeljet e konstatuara në punën e Prokurorisë së Korçës i është dërguar edhe Presidentit të Republikës. Sipas raportit, prokurorët për të cilët është kërkuar procedim kanë kërkuar dënime minimale dhe nuk i kanë ankimuar vendimet. Për më tepër, të pandehurit kanë përfituar dënime më të ulëta se minimumi, për shkak se më parë nga ana e prokurorëve ishin pranuar kërkesat për gjykim të shkurtuar. Po sipas raportit, disa prej prokurorëve nuk kanë respektuar afatet ligjore në ekzekutimin e vendimeve.

(Raportin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes Panorama)

© Panorama.al

Te lidhura