TIRANË- Sindikata e minatorëve ka zhvilluar sot një protestë para Ministrisë së Ekonomisë, duke shfrytëzuar 1 majin për të paraqitur kërkesat e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri tha se minatorët janë e vetmja kategori që ia di kuptimin 1 majit. Ai tha se protestat e minatorëve kanë rënë në vesh të shurdhët, ndërsa shtoi se hapi i ardhshëm i minatorëve do të jetë vota më 8 maj.
“Sot ne treguam se kjo është një ditë e veçantë. Ne kemi përdorur të gjitha mjetet institucionale në vazhdim të kërkesave tona, por mendojmë se tani është koha ta ndëshkojmë me votë këtë qeveri antipopullore”- tha Xibri.
Minatorët kanë shpalosur disa herë kërkesat e tyre, ku ndër më kryesoret janë rishikimi i moshës së pensionit dhe rritja e pensionit minimal.
© Panorama.al











