
Ndryshimi i Kushtetutës vlerësohet i parakohshëm nga Komisioni i Venecias. Sekretari i Përgjithshëm i këtij Komisioni, Tomas Markert, tha në një intervistë për “Deutsche Welle” se “do të ishte e parakohshme, nëse do të thuhej kjo tani.Mund të ketë disa zgjidhje, që kërkojnë amendimin e Kushtetutës, por për momentin ne do të shohim Kodin zgjedhor, praktikën zgjedhore dhe jo Kushtetutën”. Në të njëjtën kohë, ai u shpreh se pikat e Kodit ku duhet të ndërhyhet janë funksionimi i komisioneve zgjedhore dhe procesi i numërimit.
Reforma zgjedhore, z. Markert, është në krye të rekomandimeve të BE dhe Këshillit të Europës për Shqipërinë, që janë të shqetësuara për situatën e krijuar në procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e fundit lokale. Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit tuaj të japë opinionin e tij për përmirësimet e mundshme në Kodin dhe praktikën zgjedhore të Shqipërisë. Cilat janë kompetencat e Komisionit të Venecias lidhur me legjislacionin dhe proceset zgjedhore?
Komisioni i Venecias është organi kryesor këshillimor për çështjet zgjedhore i Këshillit të Europës. Ky komision u jep në mënyrë sistematike mbështetje për legjislacionin zgjedhor, së bashku me OSBE-në dhe ODIHR-in, kryesisht vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe vendeve të tjera si Mbretëria e Bashkuar apo Norvegjia. Lidhur me praktikat zgjedhore, ekspertët e Komisionit të Venecias u japin rregullisht mbështetje Komisioneve Qendrore të Zgjedhjeve dhe marrin pjesë në takimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për çështjet zgjedhore.
Cila ka qenë mbështetja që Komisioni i Venecias i ka dhënë Shqipërisë për legjislacionin dhe proceset zgjedhore?
Komisioni i Venecias ka dhënë opinione të përgjithshme për legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë që nga fillimet e viteve ’90-të. Kontributi më i fundit i takon vitit 2009. Ky komision ka realizuar edhe trajnime të ndryshme dhe ekspertët e tij kanë asistuar KQZ-në në Shqipëri në situata të vështira, ku më e fundit u takon zgjedhjeve lokale të 8 majit, të këtij viti.
Në kontributet e mëparshme të Komisionit të Venecias, a janë përmbushur rekomandimet tuaja nga faktorët politikë vendës?
Autoritetet shqiptare kanë marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme dhe prandaj legjislacioni zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standardet europiane. Problemi kryesor në Shqipëri është qëndrimi, sjellja e kandidatëve me njëri-tjetrin. Ky është një problem, që lidhet me kulturën e njerëzve dhe është tipar i demokracive të reja, siç është edhe demokracia në Shqipëri. Nuk është e mjaftueshme të kesh rregulla të mira, por t’i zbatosh ato me korrektësi.
Çfarë mbështetje dhe ekspertize mund të jepni për të shmangur në zgjedhjet e ardhshme situatën shqetësuese dhe problemet, që dolën në zgjedhjet e fundit lokale?
Mbështetja për të përmirësuar legjislacionin dhe praktikën zgjedhore në Shqipëri, iu kërkua Komisionit të Venecias nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. Mendoj se kjo ishte një nismë e tij, pas diskutimeve që ai pati me BE lidhur me situatën që pasoi ditën e zgjedhjeve lokale të 8 majit në Shqipëri. Komisioni i Venecias nuk u përfshi në periudhën që pasoi ditën e zgjedhjeve, pasi vendimet do të merreshin nga Kolegji Zgjedhor, që është një organ i drejtësisë, një organ gjyqësor. Dhe Komisioni i Venecias nuk mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore, nëse kjo nuk i kërkohet nga Kolegji Zgjedhor. Prandaj ne nuk reaguam në atë rast.
Në cilat dispozita apo pjesë Kodi Elektoral i Shqipërisë ka nevojë të përmirësohet?
Kodi Elektoral i Shqipërisë, ashtu si thashë më lart, është në përgjithësi në përputhje me standardet europiane. Por mendoj se është e nevojshme të bëhen adaptime të tjera për t’iu përgjigjur situatave të veçanta dhe për të qartësuar më tej disa rregulla, duke marrë në konsideratë zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të mëparshmet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Gjithsesi, është herët për të thëne që tani se cilat do të jenë dispozitat, që kërkojnë përmirësim. Ajo që mund të them tani, është se përbërja dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore dhe procesi i numërimit të votave janë ato pjesë, ku duhen bërë adaptime dhe për të cilat Komisioni i Venecias do të shprehë opinionin e tij.
Kur dhe si Komisioni i Venecias do të japë sugjerimet e tij për kryerjen e reformës zgjedhore?
Mandati ynë është të sugjerojmë përmirësime në legjislacionin dhe në procesin zgjedhor, pra në praktikë. Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë filluar të studiojnë dokumentet e ndryshme lidhur me zgjedhjet e 2009 dhe ato lokale të 8 majit. Më pas, në Shqipëri do të vijë një delegacion i Komisionit të Venecias, ka të ngjarë të vijë aty nga gjysma e dytë të tetorit për të identifikuar problemet dhe parë se çfarë zgjidhjesh janë të mundshme. Më 16-17 dhjetor, Komisioni i Venecias do të paraqesë dhe do të argumentojë opinionet e tij lidhur me përmirësimet, që i duhen bërë Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Pas kësaj varet nga pala shqiptare për të realizuar rekomandimet dhe zgjidhjet e propozuara nga Komisioni i Venecias. Por është shumë e rëndësishme që procesi të jetë përfshirës dhe i mbështetur në një konsensus të gjerë politik.
A keni shpresa apo argumente z. Markert se konsensusi politik i munguar për një kohë të gjatë do të arrihet?
Jam i ndërgjegjshëm se konsensusi politik në Shqipëri është shumë i vështirë. Kjo është edhe arsyeja pse organizma ndërkombëtare si Komisioni i Venecias përfshihen, por në fund të fundit arritja e tij mbetet në dorë të aktorëve politikë vendës. Komisioni i Venecias mezi pret të japë kontributin e tij në progresin demokratik në Shqipëri. Komisioni i Venecias dha kontributin e tij në adaptimin e Kushtetutës në 1998, që mendoj së përbën një nga sukseset e mëdha të Komisionit të Venecias. Ne shpresojmë që ky komision do të kontribuojë në përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe të klimës politike në Shqipëri.
A ka nevojë të ndryshohet Kushtetuta që të realizohen përmirësimet, për të cilat po flisni?
Do të ishte e parakohshme, nëse do të thuhej kjo tani. Mund të ketë disa zgjidhje, që kërkojnë amendimin e Kushtetutës, por për momentin ne do të shohim Kodin Zgjedhor, praktikën zgjedhore dhe jo Kushtetutën.
ANI RUCI











