Kandidati për dekan në Fakultetin e Ekonomisë, Andri Koxhaj
Intervista/ Flet kandidati për dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Andri Koxhaj
Program dhe një vizion ndryshe për një nga fakultetet më të mëdha të Universitetit të Tiranës. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Andri Koxhaj, flet mbi arsyet e kandidimit të tij për dekan në këtë fakultet. Ai tregon risitë për t’i shërbyer cilësisht 9 mijë studentëve dhe 140 pedagogëve të Ekonomikut. Profesori i Menaxhimit flet për projektin e tij për informatizimin e shërbimeve, komunikimin me studentët, si dhe për programin akademik, për t’i dhënë këtij fakulteti një emër më të madh seç e ka aktualisht. Prof. Koxhaj, ju po kandidoni për dekan të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Cilat janë arsyet pse studentët duhet t’ju besojnë votën?
Kandidimi im për dekan në Fakultetin e Ekonomisë ka ardhur si pasojë e një mbështetjeje të gjerë nga studentët dhe kolegët akademikë në këtë fakultet, si dhe pas një përvoje të gjatë mësimdhënieje, kërkimi dhe drejtimi. Besoj se sot, më shumë se kurrë, kam mundësi të sjell risi në fakultetin tonë, për ta transformuar Fakultetin e Ekonomisë në një model bashkëkohor të arsimit të lartë në Shqipëri. Në të gjitha universitetet prestigjioze në botë, disa prej të cilave kam pasur mundësinë t’i shoh nga afër, studentët janë thelbi i reformave dhe menaxhimit të institucionit. Në fund të fundit, zëri i studentëve (aktorët kryesorë të një universiteti) duhet të jetë jo vetëm i rëndësishëm, por thelbësor në veprimtarinë e përditshme të çdo përgjegjësi departamenti, dekani apo rektori. Në këtë kuadër, prej ditës së parë që do të kem mundësinë dhe nderin të jem dekani i këtij fakulteti, së bashku me studentët dhe kolegët, do të sjellim risitë që i nevojiten dhe i kanë munguar fakultetit tonë. Ne kemi detajuar platformën strategjike të punës sonë për të ardhmen, me objektiva tërësisht të orientuara në përfitim të studentëve. Çfarë shërbimesh do t’u ofrohen studentëve në aspektin administrativ?
Së pari, mendoj se një student është një aset i vyer dhe i pazëvendësueshëm për një universitet. Për këtë arsye, koha e tij duhet t’i kushtohet tërësisht punës mësimore dhe njohjes së praktikave organizative, duke shmangur sa më shumë burokracinë, e cila shpesh herë përbën një pengesë për studentët. Ekipi që unë drejtoj ka detajuar një program të plotë strategjik, i cili do të gjejë zbatim që në muajin e parë të zgjedhjes sime si dekan për informatizimin dhe riorganizimin e sekretarive mësimore. E konsideroj humbje kohe të panevojshme situatën aktuale, ku një student duhet të presë në radhë me orë të tëra përpara sekretarisë ose dyerve të departamenteve, për t’u regjistruar në provime apo për të marrë vlerësimin e provimeve. Kjo do të thotë se kjo praktikë do të marrë fund nëse ju fitoni zgjedhjet?
Pikërisht për t’i dhënë fund praktikave të pritjes i jemi drejtuar teknologjisë. Ne do të bëjmë të mundur që nëpërmjet një sistemi elektronik, çdo student, me kodin e tij personal, të verifikojë notat e marra, të regjistrohet në provime, të informohet për programin e lëndëve, të përfitojë gjithçka që i nevojitet nga sekretaria, pa qenë e nevojshme të prese në radhë dhe të jetë fizikisht i pranishëm. Në këtë mënyrë, ne do të bëjmë transparente dhe të qarta procedurat e provimeve, për t’i dhënë fund të gjitha problemeve të cilat kanë ekzistuar deri më sot. Teknologjia është revolucioni më i domosdoshëm, të cilin realiteti shqiptar (dhe për më tepër arsimi i lartë) duhet ta përvetësojë, aplikojë dhe shfrytëzojë tepër intensivisht. Informatizimi i të gjitha procedurave burokratike, përbën një nder zërat kryesorë të platformës sime strategjike. Projekti i dytë që kemi gati është krijimi i laboratorëve kompjuterikë që do t’u mundësojë studentëve lehtësimin e veprimtarive didaktike. Kërkimi në internet, përgatitja e projekteve, detyrave të kursit, printimet e fotokopjet do të kthehen në një proces të lehtë dhe tepër të shpejtë. Krahas saj, në çdo hapësirë të fakultetit do të ketë internet Wireless, ku të gjithë studentët do të kenë akses të pakufizuar për të mundësuar mjedis efektiv mësimi dhe kërkimi. Si pjesë e këtij projekti, të gjitha sallat e leksioneve dhe seminareve të fakultetit do të kenë kondicionim, kompjuter dhe projektorë në çdo sallë, si një domosdoshmëri për të përmirësuar infrastrukturën në Fakultetin e Ekonomisë. Por, nuk duhet të harrojmë që teknologjia jo vetëm shmang aspektet negative të burokracisë dhe mundëson lehtësi studimore për studentët, por përbën gjithashtu një bazë të gjerë dhe të aksesueshme të materialeve didaktike. Për këtë arsye, ne do të bëjmë realitet bibliotekën elektronike, ku çdo student do të ketë akses në databankat më të njohura elektronike, revistat shkencore dhe mediat prestigjioze me impakt në ekonominë botërore. Kjo, sepse thelbi i edukimit janë njohuritë dhe thelbi i njohurive është kontakti i vazhdueshëm me informacionin e ri. Studentët kanë ankesa edhe për literaturën që ofrohet nga fakulteti, ku mungon gama e teksteve të nevojshme, keni ndonjë projekt konkret për ta ndryshuar këtë situatë?
Ne paraprakisht kemi kontaktuar me institucione akademike perëndimore, dhe do të bashkëpunojmë për rinovimin e literaturës ekzistuese, ekuivalente me atë që përdorin studentët në universitetet perëndimore. Në këtë mënyrë, çdokush që do të përfundojë Fakultetin e Ekonomisë, do të ketë njohuri dhe aftësi të barasvlershme me studentët që përfundojnë studimet jashtë shtetit. Ndërkaq, do të vendoset dhe sigurohet një pjesëmarrje e vazhdueshme e drejtuesve të organizatave më të njohura private dhe publike, si Guest-Speakers, për të ofruar eksperiencat e tyre më pranë studentëve. Kjo është lehtësisht e realizueshme dhe me një dobi të madhe, por që deri më sot nuk është vlerësuar në masën dhe nivelet e nevojshme. Përtej aspektit didaktik dhe administrativ, ju deklaruat se zëri i studentëve do të dëgjohet më fort. Ky është një premtim i zakonshëm, por fatkeqësisht deri më sot nuk është bërë realitet në masën që pritej. Pse duhet të besojmë se në rastin tuaj do të kemi risi?
Deklarimet e mësipërme do të quheshin “thjesht premtime”, nëse ato nuk shoqërohen me strategjitë dhe instrumentet e nevojshme për t’i mundësuar ato. Jam dakord me ju që shpesh herë është deklaruar diçka e tillë, por zërat e mësipërm janë momentet e një plani strategjik që kemi planifikuar bashkërisht me stafin, duke u bazuar në orientime strategjike dhe objektiva të qarta. Që të mos përsëriten gabimet klasike të një fushate (ku premtimet ngelen premtime dhe nuk realizohen), transparenca e objektivave dhe realizimi frekuent i tyre do të përbëjë moton e vazhdueshme të punës sonë. Që studenti të jetë realisht i vlerësuar, do të krijohet një strukturë e re, zëvendësdekani i Studentëve, që do të mundësojë asistimin real të problemeve dhe shqetësimeve të studenteve. Kjo strukturë do të jetë zyra ndërlidhëse, ku studentët do të marrin pjesë aktivisht në vendimmarrjen e fakultetit. Këshillat dhe forumet studentore patjetër do të kenë një rol të veçantë të mbështetur nga Dekanati, për të realizuar një vendimmarrje sa më të gjerë dhe efektive në fakultet. Ndërkaq, një projekt tjetër i rëndësishëm është krijimi dhe zhvillimi i Qendrës së Karrierës për të ndihmuar studentët në krijimin e lidhjeve dhe koordinimin e marrëdhënieve me biznesin dhe institucionet publike, në funksion të realizimit të praktikave universitare dhe punësimit të mëtejshëm të tyre. Në përfundim, mund të them që në këto zgjedhje, bashkë me ekipin që drejtoj, vijmë me një vizion dhe plan të qartë, për ta kthyer Fakultetin e Ekonomisë në një model të arsimit të lartë. Ne kemi një strategji të qartë dhe jemi të gatshëm për ta implementuar atë. Kërkoj mbështetjen e studentëve për të përballuar këto sfida.
Kriteret Sipas rregullores, kandidati për postin e autoritetit drejtues rektor/dekan duhet të ketë së paku titullin “Profesor i asociuar”, apo të ketë gradën shkencore “Doktor” (PHD), të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe duhet të jenë me përvojë akademike në këto universitete. Kandidati për postin e autoritetit drejtues – përgjegjës i njësisë bazë, duhet të ketë së paku gradën shkencore “Doktor”.
Malaj: Stafi të ruajë etikën Universiteti i Vlorës, brenda javës kandidatët
Universiteti i Vlorës
Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë shpall brenda kësaj jave kandidaturat për drejtuesit e rinj. Procesi parapërgatitor tashmë është mbyllur dhe zyrtarisht do të nisë fushata me programet dhe platformat e reja të kandidatëve. Mësohet se rektori aktual, Justret Zhupa, do të jetë sërish pjesë e garës. Procesi po monitorohet nga zv. ministrja e Arsimit, Norma Malaj. Ajo ka kërkuar zbatimin e etikës nga çdo pedagog që do të bëhet pjesë e kësaj gare. Pedagogët që do të garojnë duhet të plotësojnë kriteret që përcakton rregullorja e zgjedhjeve. Ata duhet të zotërojnë titujt dhe gradat shkencore. Fillimi i procesit zgjedhor nuk ka kaluar në heshtje. Në MASH duket se kanë mbërritur ankesat e para. “Ka pasur shumë ankesa rreth këtij procesi, madje edhe shumë e-mail-e me fjalë fyese, të shkruara këto nga staf akademik, gjë që është e papranueshme nga stafet akademike dhe sidomos nga ta që mësojnë brezin e ardhshëm”, tha Malaj. Zëvendesministrja i bëri thirrje gjithë kandidatëve për çdo post drejtues në Universitetin e Vlorës të ruajnë etikën dhe të respektojnë parimin e demokracisë. Njësoj si në 11 institucionet e tjera publike të arsimit të lartë, më 20 shkurt studentët dhe stafet akademike do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur rektorin, dekanin dhe shefat e departamenteve. Muaji që vjen do të jetë muaji i fushatës, ku çdo kandidat do të paraqesë programin e tij. Sipas rregullores, do të konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese: rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati i cili është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese: rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.