Përforcime nga Shqipëria për Vetëvendosjen

Jan 8, 2012 | 10:47

Aksionit të lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar pikat e kalimit kufitar të Merdarës dhe Dheut të Bardhë me 14 janar do t’i bashkohen edhe qytetarë të Shqipëria.

“Autobusët nga Tirana nisen në datën 14 janar, në ora 7:00 të mëngjesit, në sheshin ‘Skënderbej’, para Pallatit të Kulturës”, ka qenë statusi i udhëheqësit të  Sekretariatit për Komunikim me Media të lëvizjes “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, i vendosur në rrjetin social Facebook të shtunën, raporton Koha Ditore. I njëjti njoftim ishte përhapur në rrjetin social edhe nga aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Aksioni i 14 janarit do të vijë në kuadër të mbrojtjes së mocionit të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë pas moszbatimit të tij nga Qeveria e Kosovës.

Pjesëmarrje e qytetarëve nga Shqipëria në aksionin e 14 janarit është pohuar edhe nga Sekretari Organizativ i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, i cili duke folur gjatë së shtunës për përgatitjet e aksionit, ka konfirmuar pjesëmarrjen në të edhe të qytetarëve të Shqipërisë.

“Kanë filluar organizimet edhe prej Shqipërisë për të ardhur më 14 janar në Kosovë. Shumë qytetarë atje kanë shprehur dëshirën për të qenë në Kosovë atë ditë. Ne do ta kemi një vizitë gjatë javës në Shqipëri dhe atëherë do të mund të marrim vesh se sa veta do të vijnë”, citon Molliqajn Koha Ditore.

© Panorama.al

Te lidhura