“Vetëvendosje” kthen masat e reciprocitetit me Serbinë

Dec 8, 2011 | 14:15

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e lëvizjes “Vetëvendosje” për kthimin e masave të reciprocitetit me Serbinë. Votimi u krye pas një debati të gjatë me akuza e kundër-akuza mes pozitës dhe opozitës. Kërkesa u parashtrua nga deputeti i “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, i cili lexoi tri pikat e mocionit: 1. Qeveria t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. 2. Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ta nxisë dhe të udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit e vendit dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe 3. Qeveria t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetërorë për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Mocioni u miratua me 42 vota pro, 33 kundër dhe 2 abstenime. Gjatë seancës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se qeveria e Kosovës do të marrë masa reciprociteti ndaj cilitdo vend që shkel marrëveshjen e CEFTA-s, por nuk mund të merret një vendim për bllokim të tregtisë me çdo vend, pasi izolimi e çon vendin drejt varfërisë. Sipas “Vetëvendosjes”, pro mocionit votuan edhe tre deputetë të koalicionit qeveritar.

Barrikadat qëndrojnë
Krerët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës vendosën dje në mbledhjen postmarrëveshje Serbi-Kosovë mbi menaxhimin e integruar të kufijve, se nuk do t’i heqin barrikadat. Kryetari i strukturave paralele në Zveçan, Dobrosav Dobric, tha se: “Qytetarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada për të kontrolluar nëse kalojnë doganierë dhe policë të Kosovës në Bërnjak apo Jarinë”.

© Panorama.al

Te lidhura