Çmimi “Dritan Hoxha” i shkoi historianit Kristo Frashëri.

Mes të ftuarve, të pranishëm Presidenti Topi, kreu i PS-së Rama, Nano, Meidani
Kanë kaluar dhjet vjet tashmë, kur në ca ambiente të varfra një grup idealistësh prej 20 vetash vendosën të ngrenë një televizion. Aso kohe dukej një ëndërr e marrë, që mori formë shumë shpejt, duke e bërë ekranin e quajtur “Top Channel” ndër më të ndjekurit në Shqipëri. Dje, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit u zhvillua një mbrëmje gala me rastin e 10-vjetorit të “Top Channel”. Një ditë si kjo nuk mund të kalohet vetëm, sepse të shumtë janë bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që i dhanë një dorë realizimit të një projekti të madh. Politikanë, artistë, gazetarë, të gjithë ishin mbledhur mbrëmë për të festuar një arritje të medias shqiptare në përgjithësi. Ndër të ftuarit spikatën disa prej figurave më të larta të shtetit shqiptar, por edhe përfaqësues të diplomacisë në Tiranë. Ishte i pranishëm Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kreu socialist Edi Rama, ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, ish-presidenti Rexhep Meidani, Ben Blushi e shumë politikanë të tjerë, të majtë e të djathtë. Nuk mungoi edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe Eugen Volfarth, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Pas një programi të pasur muzikor me këngë nga repertori klasik e modern, siç është kthyer tashmë në traditë, në skenën e TKOB-së u nda çmimi, që mban emrin e themeluesit të këtij televizioni dhe jo vetëm, “Dritan Hoxha”, që këtë vit i shkoi një prej personaliteteve më të shquar shqiptarë, prof. Kristo Frashëri, për kontributin që ka dhënë në zbardhjen e historisë së Shqipërisë. Më tej një trokitje gotash, ku u shkëmbyen edhe urimet për jetë të gjatë e, meqë jemi në prag të një viti të ri, edhe ato për një vit të mbarë.
Ishte data 20 dhjetor e vitit 2001, kur në ekranin më të ri shqiptar u dhanë lajmet e para. Ishte denoncimi i një marrëveshjeje qeveritare që lejonte marrjen e rërës nga gjiri i Gjipesë në bregdetin e Jonit, për ta dërguar në ishullin e Korfuzit. Një lajm ky që do të ndiqej nga shumë të tjerë. Po kështu morën jetë njëri pas tjetrit edhe programet e emisionet, si: “Shqip”, “Fiks fare”, “Top Show”, “Top Story”, “Portokalli”, “Big Brother Albania”, “Top Fest” etj. Të gjitha këto erdhën mbrëmë përmes një retrospektive, ku u shfaqën disa nga momentet më pikante që ka kaluar ky televizion, që nga skepticizmi i fillimit deri në ditët tona. E nga viti në vit, nga programi në program, ndryshimi dukej në gjithçka, që nga paraqitja e spikerve, tek studiot televizive, teknologjia…











