Kurrikula e shkollave 9-vjeçare do të pësojë një reformim të thellë. Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune me specialistë të fushës, të cilët po rishikojnë me detaje të gjitha lëndët mësimore. Kjo është vetëm faza e parë e punës, ndërkohë që në vijim do të planifikohen konkretisht ndërhyrjet. Pas një analize të kurrikulave aktuale, rezultoi se me mënyrën si janë konceptuar kanë mangësi të mëdha, çka dëmton të mësuarin e nxënësve. Tekstet janë të superngarkuara, ndërsa mësuesit flasin gjatë gjithë kohës vetë pa u fokusuar aq sa duhet te nxënësi. Në shkollat 9-vjeçare kurrikulat janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që jo vetëm nuk janë tërheqëse për nxënësit, por shpesh bëhen të lodhshme e jo të asimilueshme për ta. Ne këtë konkluzion kanë arritur edhe ekspertët e huaj, të cilët kanë rekomanduar ndryshime të menjëhershme. ”Nga analiza që është bërë, ka rezultuar se në programet mësimore nuk ka elemente të të mësuarit të diferencuar. Tekstet në shumicën e rasteve janë të vështira dhe të ngarkuara me një numër të madh konceptesh. Atyre u mungon orientimi i nevojshëm për të zhvilluar aftësi të të menduarit kritik dhe krijues, aftësi të punës në grup dhe punës me projekte. Për këtë arsye, bazuar edhe mbi urdhrin e lëshuar nga ministri i Arsimit, janë ngritur grupet e punës”, sqaron Tidita Abdurrahmani, drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Sipas saj, është kërkesë tashmë reale rakordimi më i mirë mes kurrikulës së arsimit bazë dhe kurrikulës së re të gjimnazit. ”Po punohet për dokumentin e kornizës kurrikulare, e cila do të sigurojë unifikimin e kërkesave për të gjitha kurrikulat e arsimit fillor e atij të mesëm”, thotë Abdurrahmani. Sipas saj, sa i përket përmbajtjes, do të ketë një shkrirje të modelit të përqendruar tek lënda në modelin e përqendruar tek nxënësi. Përveç lëndëve të detyrueshme, kurrikula e re do të përmbajë edhe lëndë me zgjedhje. Aktualisht, sipas të dhënave që jepen në dokumentin strategjik të arsimit parauniversitar, rezulton se numri mesatar i orëve në një vit për nxënësit në shkollat nëntëvjeçare është 600, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së për të njëjtin nivel arsimor është 750, çka do të thotë se nxënësit tanë bëjnë 150 orë mësimi më pak se ata të vendeve të Bashkimit Europian. E përkthyer në dite, i takon 20 ditë më pak shkollë çdo vit. Por, përkundër kësaj, numri i nxënësve në klasa është tepër i lartë dhe lëndët nuk janë fort interaktive. “Procesi ka nisur me rishikimin e programeve dhe rihartimin e programeve të reja, vazhdon më pas me hartimin e teksteve përkatëse dhe përherë cikli i plotë i zbatimit të një kurrikule të re do një periudhë kohe”, thonë specialistët e MASH-it.
Kurrikula e re
• Nxënësi në qendër
• Ngarkesë e normalizuar
• Nxit mendimin kritik
• Siguron aftësi sociale
• Shanse të barabarta për nxënësit
• Impakte të thella në teknologji
Mbingarkesa
Përvojat e mësuesve, të nxënësve e të prindërve dëshmojnë për një mbingarkesë në kurrikulën e arsimit bazë, duke sjellë pakësimin e interesit të nxënësve ndaj të mësuarit. ”Lehtësimi i nxënësve në të dyja përmasat, si në volumin e njohurive dhe në vështirësinë, bazuar në një studim shkencor mbi ngarkesën optimale të nxënësve sipas veçorive të zhvillimit mohor, do të jetë në fokus të rishikimit të kurrikulës së arsimit bazë”, thonë specialistët.











