
TIRANE – Padia civile e Ina Hoxhajt kundër Shkollës së Magjistraturës do të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës. Hoxhaj është kandidatja për magjistrate që u skualifikua në listën përfundimtare, ndonëse u radhit e dyta në konkursin e pranimit. Ajo u skualifikua vetëm për faktin se në zarfin me letrat ku ishin shkruar përgjigjet e testit kishte harruar edhe fletën me rregulloren e provimit. Gjykata e Lartë rrëzoi dje pretendimet e Shkollës së Magjistraturës se çështja mund të zgjidhej në rrugë administrative, pa i hyrë debatit gjyqësor. Teksa po shqyrtohej në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, pala e paditur në proces, Shkolla e Magjistraturës, kërkoi që çështja të nxirrej jashtë juridiksionit. E thënë thjeshtë, Shkolla pretendonte se çështja në fjalë mund të zgjidhej në rrugë administrative, pa shkuar në dyert e Gjykatës. Në këtë moment, gjyqi në Shkallën e Parë u pezullua deri në shprehjen me vendim të Gjykatës së Lartë. Dje, një Kolegj Civil, i kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj, mori në shqyrtim pretendimin e Shkollës së Magjistraturës, të përfaqësuar ligjërisht në proces nga Arben Rakipi. Pas debatit gjyqësor, Kolegji Civil vendosi rrëzimin e pretendimeve të Shkollës së Magjistraturës. Në këtë mënyrë, përballja mes kandidates Ina Hoxhaj dhe Shkollës së Magjistraturës do të shqyrtohet gjyqësisht në Gjykatën e Tiranës. Kërkesë-padia e Ina Hoxhaj, konkurrentja e skualifikuar e provimit të Magjistraturës, kundër kësaj Shkolle u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 13 tetor 2011. Emri i Hoxhajt u përjashtua nga lista e fituesve të magjistratëve të rinj nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Shkollës së Magjistraturës. Shkak i përjashtimit, sipas komisionit, ishte shkelja e rregullores nga ana e kandidates. Ndërkohë, nga përgjigjet e dhëna në testin me shkrim, kandidatja Ina Hoxhaj do të renditej në vendin e dytë në listën e fituesve për 18 kuota pranimi në Shkollën e Magjistraturës.











