“Spanja e frikshme, favoritë gjermanët”

Jun 4, 2012 | 13:38
Mishel Platini

Gjermania dhe Spa-nja duhen konside-ruar favoritet e Kam-pionatit Europian. Mishel Platini, presidenti i UEFA-s, ka dhënë opinionin e tij për skuadrat pjesëmarrëse në “Euro 2012”, duke e cilësuar edhe Italinë ndër ekipet e vështira.
“Unë bëj gjithnjë diferencimin mes skuadrave që mund të fitojnë dhe atyre që janë të vështira për t’u mposhtur. Me fjalë të tjera, sipas mendimit tim, Gjermania dhe Spanja janë pretendentet kryesore për fitoren e këtij turneu, pra janë në kategorinë e parë. Pastaj, mund të vijnë praktikisht të gjitha të tjerat, sepse të luash me Danimarkën, Portugalinë, Italianë dhe Francën do të jetë e komplikuar, – ka theksuar Platini në një intervistë të dhënë për ‘France Press’. – Pa harruar këtu që në 2004-n fitoi Greqia, ndaj mund të ketë surpriza të tjera si këto. Për sa u përket favoriteve, Spanja, që është kampionia e Europës dhe e botës në fuqi, ka shumë eksperiencë. Ndërsa Gjermania është pak më e re dhe ka uri për fitore. Skuadra e Del Boskes do kërkojë që ta ruajë titullin me një brez të jashtëzakonshëm lojtarësh. Unë jam i bindur se do shohim ndeshje të mrekullueshme me këto skuadra, pasi lojtarët pjesëmarrës në Europian kanë treguar se janë të fortë”, – parashikon numri një i qeverisë së futbollit europian. Gjithsesi, Platini ka dashur të theksojë se këto ekipe janë favorite dhe vetëm kaq: “Besoj se janë pretendentet kryesore, por nuk do të thotë se kanë fituar. Futbolli rezervon gjithnjë surpriza të mëdha, është e vështirë t’i kuptosh gjërat që në fillim. Pikërisht, për këtë arsye, ky sport është kaq i bukur”, – thekson ish-fenomeni i Juventusit dhe Kombëtares franceze. Më pas Platini ka vazhduar me një koment mbi qëndrimin e UEFA-s ndaj vendeve organizatore të Europianit: “Duhet të jemi neutralë. Kur skuadra vendëse është prezente sa më gjatë në turne, atmosfera është më pozitive, ky është një konstatim. Por, gjithsesi, mbetet një kompeticion, ndaj lë të fitojë më i miri. Italia? Është e frikshme”.

Lëv injoron klanin e Dortmundit
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, duket se po përçan Kombëtaren dhe po ndan skuadrën në kampe. Duke pasur konkurrencë të fortë, 52-vjeçari gjerman u ka besuar lojtarëve me eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, fitorja e dopietës së titujve kombëtarë nga Dortmundi nuk vlen si kriter për të qenë në formacionin bazë të “pancerave”. “Lojtarët e Dortmundit janë shumë të fortë në Bundesligë dhe kanë të ardhmen përpara, por nuk kanë eksperiencën e duhur si Bajerni për të thyer konkurrencën ndërkombëtare”, – u shpreh Lëv në një pjesë të intervistës. Në formacionin kryesor në sfidën ndaj Portugalisë, Lëv do t’i besojë eksperiencës. “Europiani kërkon një nivel të avancuar. Ne luajmë kundër kombeve të mëdha dhe, me gjithë respektin që kam, më duhet të them se nuk do përballemi me Hofenhaimin, Nurenbergun, apo të tjera. Do të luajmë kundër përfaqësueseve që bëjnë pjesë në 10 kombëtaret më të mira të botës. Veç të tjerave, presim të përballemi kundër kampionëve aktualë të Europës dhe Botës”.

Anglia humb dhe Kahillin, thirret Kelli
Anglia duket se është prekur nga mallkimi, pasi brenda një jave ka humbur tre prej titullarëve për shkak të dëmtimeve. Në fillim ishte Gareth Beri, pastaj Frenk Lampard e tani edhe Geri Kahill është detyruar ts lërë Kombëtaren, 4 ditë para nisjes së “Euro 2012”. Lojtari ka pësuar një frakturë të dyfishtë në nofull, pasi u përplas me portierin Xho Hart në miqësoren ndaj Belgjikës, të fituar 1-0. Tekniku i “Tre Luanëve” thërriti në skuadër mbrojtësin e Liverpulit, Martin Kelli, vendim ky që ka acaruar së tepërmi ish-kapitenin e përfaqësueses, Rio Ferdinand. Mbrojtësi i Mançester Junajtid shkroi në “Twitter”: “Për çfarë arsye????”, duke pyetur nga larg trajnerin e Anglisë që nuk e thërriti. Kelli ka qenë pjesë e “Tre Luanëve” në takimin miqësor ndaj Norvegjisë, ku debutoi me fanellën e përfaqësueses.

Pirlo: Bastet?
Ne fitojmë Europianin
Andrea Pirlo i ka idetë e qarta teksa kanë mbetur vetëm pak ditë nga ndeshja debutuese e Italisë në “Euro 2012” ndaj Spanjës, që do të zhvillohet të dielën. “Synojmë që t’i shkojmë këtij kompeticioni deri në fund, pse jo edhe ta fitojmë atë. Problemet e shumta që po kalon futbolli italian për çështjen e skandalit të basteve nuk do kenë ndikim te paraqitja jonë në fushë. Përkundrazi, unë e konsideroj ‘Euro 2012’ si një mundësi mjaft të mirë për t’i treguar botës se ne mund të fitojmë”.

Francezët “kryqëzojnë” Patris Evranë
Patris Evra ka përfunduar në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të një gjesti aspak të këndshëm. Në fakt, mbrojtësi i Francës është kapur nga kamerat ndërsa fshinte b… me fanellën e shokut të Kombëtares. Më pas ai e ka marrë dhe i ka mbajtur erë fanellës, ndërkohë ishte i ulur në pankinë gjatë miqësores me Serbinë. “Ky gjest tregon para gjithë botës nivelin e respektit që ekziston për fanellën e Francës dhe gjithçka ajo përfaqëson”, ka qenë komenti i “Le 10 Sport”.

© Panorama.al

Te lidhura