Berisha: Listat e hapura u japin hapësirë “të fortëve”.
Maxhoranca kundërshton ndryshimin e sistemit zgjedhor të kërkuar nga partitë e vogla. Kryeministri Berisha, i pyetur mbrëmë në “Ora News”, tha se sistemi zgjedhor nuk ndryshon çdo katër vjet, duke akuzuar kreun socialist se e propozon këtë ndryshim për interesa të tij. Sipas tij, sistemet zgjedhore nuk mund të ndryshohen sipas tekave personale. “Nuk kam prirje për ndryshimin e sistemit. Kur e bëmë ndryshimin e sistemit katër vjet më parë, nuk e bëmë me qëllimin se ai na siguron fitoren. Ta ndërrosh atë sipas qejfit çdo katër vjet, këtë unë nuk e bëj vetëm në respekt të sistemit. Para katër vjetësh i kam kërkuar publikisht zotit Rama zgjidh cilindo sistem, unë do ta pranoj. E zgjodhi, e miratoi, unë kam qenë plotësisht dakord”, u shpreh Berisha. Duke folur për epërsinë e sistemit aktual, proporcional rajonal, Kryeministri tha se ai është më përfaqësues. “Mrekullia e këtij sistemi është përfaqësimi rajonal, kur në Kukës apo Dibër gjen socialistë, apo dhe në Sarandë gjen demokratë. Nuk e ndryshojmë sistemin”, u shpreh kreu i maxhorancës. Por kreu i ekzekutivit hodhi poshtë dhe propozimet e artikuluara nga partitë e vogla, të cilat kanë kërkuar që në reformën zgjedhore të saktësohen listat e hapura të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, listat e hapura do të sillnin në Kuvend njerëz të fortë dhe që blejnë mandatet me para. “Jo, nuk jemi dakord. Listat e hapura u japin hapësira parave dhe të fortëve. Janë disa miq dhe aleatë që i kërkojnë listat e hapura, por kjo gjë është e pamundur. Mendoj se lista duhet të hartohet me frymë demokratike dhe me zgjedhje, por që të hapen, kjo nuk i shërben vendit. Në listat e hapura, ai që është më i fortë apo me shumë para, të bëhet deputet. Kjo nuk është e nevojshme”, u shpreh kreu i maxhorancës. Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ende nuk ka nisur konkretisht nga puna, ndërsa kanë mbërritur propozimet nga partitë e vogla për ndryshime të rëndësishme në Kodin Zgjedhor. I pyetur nëse do të pranojë numërimin elektronik të votave, kreu i maxhorancës tha se ky sistem nuk funksionon në Shqipëri. “Zoti Rama e provoi në partinë e vet dhe dështoi. Ai sistem mbeti në klasë. E vendosi atë si risi në Asamblenë e fundit dhe iu desh një javë rresht për të numëruar votat. Kur nuk arriti ta konkretizojë në partinë e vet, nuk e di se si mund ta propozojë këtë”, u shpreh Berisha.
Reforma zgjedhore deri në mars
Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ka marrë një mandat deri në muajin mars, për t’i paraqitur Kuvendit një draft të plotë. Komisioni do të marrë propozimet dhe sugjerimet e partive të vogla dhe shoqërisë civile se si duhet të jetë Kodi i ardhshëm Zgjedhor, ndërsa do jenë dy partitë e mëdha që do të kenë të drejtën e miratimit të draftit.
© Panorama.alRama në shtëpinë e Aleks Nikës
Kreu i PS-së, Edi Rama, ishte dje në shtëpinë e Aleks Nikës në Lezhë, një nga viktimat e protestës së 21 janarit në bulevardin kryesor të Tiranës “Dëshmorët e Kombit”. Vizita e Ramës ditën e Krishtlindjeve në shtëpinë e 35-vjeçarit, babai i dy fëmijëve të mitur, është shoqëruar dhe me një koment në faqen e tij në Twitter. “Për Krishtlindje në shtëpinë e Aleks Nikës, ku të rriturit presin drejtësi për vrasjen, ndërsa Amelia 4 vjeçe pyet përditë a do vijë babi sot?”, është komenti që ka bërë kryesocialisti. Një ditë më parë, Rama vizitoi dhe familjen e Hekuran Dedës, një tjetër viktimë e protestës së 21 janarit.











