“Qytetarët si partnerë” apo një “shoqëri e madhe”

May 2, 2011 | 12:37

SOTIRAQ SOTIRI

Bërja e punëve përgjithë sisht në fushata elektorale shihet në atë se çka do të bëjë bashkia apo qeverisja dhe shumë pak ose aspak ajo çfarë mund të vijë edhe si rezultat i fuqizimit, apo përgjegjshmërisë së qytetareve. Ka një sërë sfidash reale që duhet të marrin përgjigje. Aq me tepër që gjithmonë e më shumë shoqëria duhet të priret drejt përgjegjshmërisë që duhet të imponohet nga poshtë, nga komuniteti.  Në shumë qytete, përfshi Tiranën, ka modele (megjithëse shume të pakta) të lindura nga nevojat ku qytetaret në struktura të vogla urbane organizohen për të përmirësuar cilësinë e jetës. Por deri më sot, ka munguar tërësisht një investim që mund të vijë nga qeverisja, në mënyrë të veçantë nga ajo vendore, për të nxitur dhe krijuar modele të komuniteteve qytetare si partnere në qeverisje.
Konsultimi me qytetarët gjatë viteve në Tiranë ka mbetur në nivele të përkatësisë politike ose thjesht formale; buxhetimi me pjesëmarrje, po i tillë; ligji për bashkëjetesën në pallate (kondominiumi) kërkon nxitje të drejtpërdrejtë për kuptimin, zbatimin dhe lehtësimin e komunikimit të qytetarëve me institucionin; çështjet mjedisore nuk mund të jenë vetëm përgjegjësi e institucioneve; lufta ndaj informalitetit, por edhe korrupsionit, mund të këtë sukses me kontributet për përgjegjshmëri që vjen nga grupimet qytetare. Por edhe siguria publike në komunitet nuk mund të arrihet pa një komunitet që njeh vlerën e bashkëpunimit dhe besueshmërisë me institucionet e zbatimit të ligjit.
Dhe pikërisht, mekanizmi i ndërlidhësit komunitar, nëse i vendosur drejt midis institucioneve të qeverisjes dhe komunitetit të qytetarëve, është instrumenti për ngritjen e urave dhe vendosjen e një partneriteti. Por për këtë duhet vizion për t’i bërë punët në interes, si të qytetarëve dhe të qeverisjes.
Prej 15 vitesh, te 11 njësitë bashkiake të Tiranës ka afro 250 punonjës me kohë të pjesshme, që njihen ndryshe edhe si koordinator lagjeje ose ndërlidhës komuniteti, strukturë kjo e ngjashme me atë që “Ligji Organik Për Qeverisjen Vendore” njeh si kryetar fshati apo tradicionalisht “kryeplak”. Praktika e deritanishme në njësitë bashkiake ka rezultuar kryesisht në emërime politike të kryetarit të njësisë bashkiake dhe, si i tillë, shërbimi i tyre është përgjithësisht i lidhur “në qark të shkurtër” të këtyre individëve të ngarkuar me ketë detyrë dhe kryetarit të njësisë bashkiake si “punëdhënës”.
Pikërisht me transformimin e kësaj praktike mund të ndërtohen “urat lidhëse” të qeverisjes me qytetarët, duke synuar që ndërlidhësi komunitar të jetë në këtë pozicion, për shkak të cilësive individuale të lidershipit komunitar dhe integritetit personal. Ai mund të jetë përveç një pensionisti, siç është kryesisht tani, edhe një i ri apo e re, një grua apo një burrë, i përkushtuar individualisht për të punuar në dhe me komunitetin.
Përmes paketës së mëposhtme të propozimeve, mund të hidhen themelet në drejtim të ndryshimit të mentalitetit të shoqërisë për përgjegjshmëri në qeverisje. Në parashtrimin e mëposhtëm, dëshiroj të jem më konkret përmes propozimit të një qasjeje afatshkurtër që mund të perceptohet lehtësisht nga qytetaret, por edhe që mund të vijë në shërbim të të gjitha institucioneve që operojnë në nivel vendor në shërbim të qytetarëve. Për këtë, mbetet thelbësore nevoja që ky individ (ndërlidhës komunitar) të mos jetë i lidhur vetëm me punën dhe detyrat e ngarkuara nga kryetari i njësisë bashkiake, por po aq të udhëhiqet edhe nga prioritetet dhe nevojat e komunitetit të cilit i shërben.
Për të arritur në këto parametra funksionues, është e domosdoshme:
Në zgjedhjen e individëve të zbatohet metodologjia që “Ligji për Qeverisjen Vendore” parashtron për zgjedhjen e kryetarit të fshatit, me pëlqimin e komunitetit
Emërimi i tyre në këtë detyrë të vijë përmes Këshillit të Njësisë Bashkiake,
Mundësisht për çdo vend të ketë kandidatura alternative, të shoqëruara me aplikimin motivues të kandidatit,
Këshilli Bashkiak të miratojë përshkrimin e punës se tyre, duke përcaktuar edhe prioritetet në bazë të prioriteteve të zonës ku pritet që kandidati të operojë, (për shembull: për një periudhë të caktuar prioritet mund të jetë zbatimi i ligjit të kondominiumit, buxhetimi me pjesëmarrje, çështjet mjedisore, konsultimi qytetar për çështje të ndryshme, siguria publike, shmangia e informalitetit apo korrupsionit për bazën e tatim paguesve, por edhe punësimi përmes eksplorimit të mundësive të ndryshme të zonës etj)
Mbetet shumë e rëndësishme që ky proces nga ekzekutivi i njësisë të qeverisjes vendore, të mos vlerësohet thjesht si një proces formal, por kryetari i bashkisë duhet të motivojë gjithë strukturat e bashkisë për të investuar në një proces sa më përmbajtësor në përzgjedhjen e kësaj strukture në komunitet,
Kjo është një sipërmarrje krijuese, dinamike, fleksibël dhe çdo këshill bashkiak mund ta operacionalizojë sipas prioriteteve dhe problematikës vendore, kuptohet, pa krijuar mbivendosje me administratën publike, por duke e vlerësuar ndërlidhësin si instrumentin për të përfshirë qytetarët në problematikën e radhës.
Kështu, ndërlidhësi komunitar është veçse “lideri”, “organizuesi”, “mobilizuesi”, “pika e kontaktit” e institucioneve të ndryshme në nivel komunitar “Iniciativa qytetare për Tiranën” është dhe besoj se (pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit) do të mbetet një nismë që mund të shndërrojë në realitet këtë ndryshim që, nëse bëhet, do të afektojë shumë shpejt gjithë vendin, në interes të plotësimit material dhe shpirtëror të qytetarëve, por edhe të institucioneve vendore apo qendrore në performancën e tyre drejt shërbimeve ndaj qytetareve.
Duke i referuar idesë së tij mbi “ndërtimin e një shoqërie të madhe”, David Kamerun shpjegon në dokumentin e miratuar nga qeveria britanike vitin e kaluar se në “Shoqërinë e Madhe” do të thotë: “T’i japësh qytetarëve, komuniteteve dhe qeverisë vendore fuqinë dhe informacionin që u nevojitet për t’u bashkuar së bashku, të zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen dhe të ndërtojnë Britaninë që dëshirojnë. Ne duam që familjet, rrjetet, fqinjësitë dhe komunitetet që formojnë kuadrin e jetesës sonë të përditshme, të jenë më të mëdha dhe më të forta se kurrë ndonjëherë. Ndërtimi i “shoqërisë se madhe” nuk është përgjegjësia e një apo dy institucioneve. Ajo është përgjegjësia e çdo institucióni të qeverisë dhe përgjegjësia e çdo qytetari. Ne jemi të gjithë bashkë për një shoqëri të madhe”
Ndërsa, për të mbyllur do të citoja Barack Obamën nga përvoja e tij si organizues komuniteti në Çikago dhe puna për të ndihmuar në punësimin e banorëve të lagjeve të varfra.
“Organizatat me bazë komunitare u mundësojnë njerëzve të thyejnë veçimin e tyre të gjymtuar nga njëri-tjetri, të riformojnë vlerat dhe pritshmëritë e tyre të përbashkëta dhe të rizbulojnë mundësitë e tyre të të vepruarit bashkërisht, si parakusht i çdo iniciative të suksesshme për vetë-ndihmë.”

© Panorama.al

Te lidhura