“Pranojmë çdo rekomandim të Venecias”

Sep 5, 2011 | 9:56

Kryeministri Berisha tha dje se maxhoranca do të pranojë çdo rekomandim që do të vijë nga Komisioni i Venecias, lidhur me reformën zgjedhore. “Dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR. Kodi aktual Zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj, me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. As edhe një nen të vetëm. Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR”, tha kreu i qeverisë. Sipas tij “Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR. Kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë ligjore solide për zgjedhje demokratike. Duke theksuar këtë, ekzistojnë në dy zgjedhjet e fundit një seri rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it”.

Gjana:  Jo zgjedhje nga të huajt

Deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, është shprehur kundër organizimit të zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar. Ky propozim është bërë së fundi nga eksponentë të Partisë Socialiste. “Unë nuk besoj se Shqipëria mund ta lërë administrimin e zgjedhjeve në duart e të huajve. Të huajt janë për të monitoruar dhe për të vëzhguar. Lidhur me Kodin Zgjedhor, mendoj se rekomandimet e 2009-s dhe rekomandimet e 2011-s duhet të bëjnë bazën thelbësore për ndryshimet në kodin elektoral”, tha Gjana. Sipas tij “Asgjë nuk është e padiskutueshme, por kam bindjen se nuk është e lehtë dhe askush nuk mund të japë receta paraprake se si duhet të jetë formati i KQZ, por është një pikë debati e thellë, e vështirë, jo e lehtë sepse palët nuk duhet të mendojnë se do të mund të ndërtojnë komision për të bllokuar gjithë procedurat e zgjedhjeve dhe të nxjerrjes së rezultatit”.

© Panorama.al

Te lidhura