“Poeteka”, një edicion mbi lirikën krijuese

Sep 13, 2011 | 11:31

Marrëdhënia e artistit me lirinë krijuese dhe intelektuale,  në kushtet e kufizimit të lirisë dhe të mungesës së pluralizmit të estetikave, është bërë dje tema e një konference shkencore, e cila do të zhvillohet deri në datën 14 shtator, në kuadrin e edicionit të shtatë të “Poetekës”. Ndryshe nga herët e tjera, “Poeteka” nuk vjen si një festival poezie me pjesëmarrjen e poetëve nga Shqipëria e më gjerë. Nuk do të ketë as çmime, por një rrahje mendimesh, tezash, mbi çështje që shqetësojnë sot letërsinë shqiptare, krijimtarinë, por edhe studimin e saj. Kjo veprimtari vjen pas takimit të organizuar në Përmet (18-21 korrik) me temën “Liter(N)atura”, ku në qendër të takimeve ishin dy emra përfaqësues të letrave shqipe, Nonda Bulka dhe Naim Frashëri. Edicioni i sivjetshëm i “Poetekës”, i titulluar “META(L)FORA – METAF(L)ORA”, organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Departamentin e Letërsisë. Gjatë ditëve të konferencës do të referojnë emra të njohur shkrimtarësh e studiuesish, si Ali Aliu, Shaban Sinani, Ardian Marashi, Vrion Graçi, Arjan Leka, Bardhyl Londo, Gazmend Krasniqi etj.

© Panorama.al

Te lidhura