“Perform-Fest”, Amela Agasta fiton çmimin e parë

Jun 4, 2012 | 13:52
Nata finale e “Perform-fest”

Amela Agasta është fituesja e edicionit të dytë të festivalit për fëmijë “Perform-Fest”. Falë votave të publikut, vajza nga Tirana është shpallur fituesja e vendit të parë, me këngën “Ëndërr”, kompozuar nga Alfred Kaçinari. Në një mbrëmje ku u bashkua emocioni i garës dhe spektakli, është mbyllur edicioni i talenteve të vegjël, me producente Zana Çelën, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Publik Shqiptar. Ka qenë një natë çmimesh, ku përveç të parit, të tjera çmime janë ndarë nga juria profesioniste për fëmijët sipas tri grupmoshave: 4-9 vjeç, 10 -13 vjeç dhe 13-15 (ose junior), duke u mbështetur në rritjen artistike dhe vlerat që ata kanë treguar në këtë festival. E ftuara e nderit e mbrëmjes ishte këngëtarja Evis Mula, e cila falë çmimit të parë fituar në festivalin “Marie Kraja”, i producentes Zana Çela, tashmë po ndërton karrierën e saj në skenën e “La Scala”-s në Milano. Por, surpriza më e madhe për  spektatorin, mbi të gjitha për fëmijët konkurrentë, ishte ngjitja në skenë i të parit muzikal shqiptar për fëmijë. Me titullin “Fantastikët”, kompozuar nga Sokol Marsi, mbi një libret në gjuhën shqipe, ky muzikal i ka parë konkurrentët e “Perform-Fest” jo vetëm si këngëtarë, por dhe si aktorë e balerinë në skenë. Fabula është e thjeshtë dhe tërheqëse për fëmijët. “Perform Fest” ka qenë edhe një homazh për muzikën më të mirë për fëmijë në vite, që lindi dhe u rrit në festivalin e fëmijëve në Shkodër, i cili këtë vit ka 50-vjetorin e tij, por edhe në festivalet e tjera të të vegjëlve.
Festivali
Për 10 javë, në një transmetim maratonë, çdo të shtunë, në ekranin e TVSH, konkurrentët e vegjël të “Perform-Fest 2” janë ngjitur në skenë, duke dhuruar një spektakël të vërtetë. Kanë qenë 32 konkurrentë, që nga nata në natë kanë prezantuar këngët e tyre të kompozuara enkas për këtë edicion nga kompozitorët më të mirë shqiptarë, si Shpëtim Saraçi, Sokol Marsi, Alfred Kaçinari, Kristi Popa, Endri Sina etj. Këto talente të reja kanë mësuar gjatë këtyre javëve se si të shndërrohen nga fëmijë, në artistë të aftë për të emocionuar spektatorin në sallë, artistë të mëdhenj, por dhe publikun që i ka ndjekur dhe i ka votuar nëpërmjet televotimit… Këto 10 javë ishin konceptuar si një show argëtues, ku janë ndërthurur krahas muzikës dhe performanca baleti të realizuara nga fëmijët e qendrës “Performancë” dhe konkurrentët. Nën një skenografi dhe ndriçim spektakolar, festivali është drejtuar nga prezantuesja Iva Mera, e cila ka ditur të komunikojë me fëmijët e t’u heqë atyre emocionet e garës.
Në vazhdën e spektakleve e garave në kërkim të talenteve të rinj, “Perform-Fest” i shpëton formulave të njohura. Në thelb të tij është zbulimi i talenteve më të vegjël të muzikës shqiptare, përshtatja e tyre me skenën, aftësimi jo vetëm në këngë, por edhe balet e aktrim, në të njëjtën kohë edhe pasurimi i repertorit të muzikës për fëmijë me krijimtari të re, njohja e të vegjëlve me muzikën më të mirë të traditës, rikthimi në kohë dhe nderimi ndaj artistëve që dikur kanë nisur karrierën që në vogëli. Gjatë netëve të këtij festivali, bashkë me fëmijët kanë kënduar edhe këngëtarë VIP, çka e ka bërë spektaklin edhe më tërheqës, jo vetëm për fëmijët, por edhe të rriturit.

© Panorama.al

Te lidhura