Në një takim me studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, ka theksuar se përfaqësimi i grave është çelësi e demokracisë së një vendi. “Mendoj që në çdo shoqëri civile është e rëndësishme pasja e një themeli ligjor. Pa këtë themel nuk do të ishte e mundur. Por gjithashtu, është i barazvlefshëm zbatimi i ligjeve dhe vënia në praktikë e tyre. Absolutisht besoj se duhet të ketë përfaqësim më të madh, në Parlament, të grave që vijnë nga komuniteti i OJV-ve. Sa herë shikoj televizor, shikoj që Partia Socialiste ka një grup të caktuar grash që dalin si përfaqësuese apo zëdhënëse të partisë dhe kjo është një gjë e mirë”, ka deklaruar Arvizu. Ambasadori amerikan i është përgjigjur pyetjeve të ndryshme që vinin nga radhët e studentëve edhe për sa i përket modeleve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky takim u bë i mundur në muajin e grave nga organizata jo qeveritare që mbrojnë të drejtat e tyre. Ata, gjithashtu kërkojnë rritjen e përfaqësimit të grave në organet vendimmarrëse. Momenti më i volitshëm janë zgjedhjet e tetë majit, ku forcat politike duhet të vënë për kandidim më shumë emra grash për kryetare bashkie, komune apo prefekture. “Është e vërtetë që politika udhëhiqet nga dy burra maço që vendosin se cilat do jenë gratë që do jenë kandidate, apo nëse do ketë gra në këto lista. Unë them që ka ardhur koha të kërkojmë një vend tjetër, sepse e meritojmë”, ka deklaruar Iris Luarasi, aktiviste për të drejtat e grave.











