
Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi paralajmëroi shkëputjen e tij nga detyra e nënkryetarit të KLD-së
“Do jem 24 orë me ju në çdo familje për një kontratë kuq e zi”
Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, paralajmëroi dje shkëputjen nga KLD-ja dhe angazhimin total me këtë lëvizje. Gjatë një aktiviteti me të rinjtë që mbështesin Aleancën, Spahiu u shpreh se brenda 2-3 javëve do të nënshkruhet kontrata kuq e zi me shqiptarët, duke lënë të kuptohet mbledhja e firmave dhe regjistrimi i saj si parti politike. “Së bashku sot nisim një rrugëtim jo më shumë se dy-tri javë, dhe ne do të jemi më pranë njëri-tjetrit jo më shumë se dy-tri javë, dhe do të na bëjnë që ne dhe unë pranë jush të jem 24 orë në 24 në një mision historik që ne të jemi në çdo derë, rrugicë, lagje, pallat, në çdo familje shqiptare, ku t’i ftojmë të gjithë shqiptarët të nënshkruajnë një kontratë, kontratën kuq e zi. Ju nuk mund të mposhteni, nuk mundet t’ju sfidojnë krokodilët e politikës shqiptare, sepse kuqezinjtë nuk i kanë mposhtur as perandorët, as carët, as krajlët, as verio-epirotët, të cilët kërkojnë të poshtërojnë ndjenjat e shqiptarëve”, tha Spahiu. Gjatë fjalës së tij, Spahiu akuzoi qeverinë shqiptare për marrëveshje të fshehtë me Athinën në dëm të sovranitetit të Shqipërisë. Sipas zotit Spahiu, Berisha bashkoi votat me Dulen dhe Athinën për kufirin detar, censusin dhe së fundi për shkarkimin e tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “Përsëri 73 vota për të mundësuar një aksion të ri për të poshtëruar integritetin, për të poshtëruar institucionet, 73 vota bashkë me Dulen e Athinës. Por 73 vota të numëruara nuk mundet të cenojnë dhe kushtëzojnë sovranitetin e Shqipërisë. 73 vota të numëruara së bashku me Dulen e Athinës, nuk mund të cenojnë integritetin territorial të Shqipërisë, 73 vota së bashku me Dulen e Athinës nuk mundet të poshtërojnë dinjitetin tonë njerëzor”, tha Spahiu. Sipas tij, “ata mund t’i bashkojnë votat, por nuk mund t’i përçajnë kurrë dot shqiptarët. Tri herë e krijuan këtë aleancë me njerëzit e Athinës. 73 vota në aleancë me Athinën për të shitur territore në kufirin ujor me Greqinë, 73 vota në aleancë me Athinën për të ndryshuar identitetin në ‘ligjin për kombësinë’ dhe censusin ogurzi, 73 vota në aleancë me Athinën për të pushtuar institucionet e pavarura”. Për Spahiun, “Aleanca Kuq e Zi ka dy gurë themeli mbi të cilat do ta bëjë Shqipërinë: demokracinë dhe kombin. “Pa demokraci nacionalizmi është kërcënim. Pa nacionalizëm demokracia është dështim. Për Aleancën Kuq e Zi demokracia dhe kombi, dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar, bashkimi i shqiptarëve dhe europianizimi janë të pandashme”, u shpreh drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi.
Kontrata
Spahiu i ftoi qytetarët që të mbështesin Aleancën për t’u bërë parti politike, duke dhënë firmën e tyre të besimit. “Nga sot ju ftoj ju mijëra aktivistëve të Aleancës rinore Kuq e Zi të trokasim në çdo familje shqiptare për të nënshkruar kontratën kuq e zi, si një pakt dhe premtim që Aleanca Kuq e Zi do të zgjerojë aktivistët e saj me synimin që të bëhemi një milion kuq e zinj, por edhe për të përmbushur detyrimin se Shqipëria bëhet jo me krokodilët e politikës, por me shqiptarët e ndershëm, të cilët nuk i kanë nënshtruar kurrizin diplomacisë antishqiptare dhe servilëve të këtij pushteti në degradim”, u shpreh Spahiu.
Simbolet kombëtare
Kreu i Aleancës Kuq e zi, Kreshnik Spahiu, tha dje se Aleanca mbështetet te simbolet kombëtare. “Aleanca qëndron mes Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, at Fishtës e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit e Hasan Prishtinës, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit si një urë mes brezash që u flijuan për liri dhe komb.
Këto janë ikonat tona përballë të cilave përulet dhe betohet Aleanca Kuq e Zi”, u shpreh Spahiu. Sipas tij, “nën vargjet e të madhit Ali Asllani përjetova amanetin e Athinës zyrtare të ekzekutuar nga servilët në Kuvendin e Shqipërisë”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











