“Pensionet në vështirësi, të ndryshojë skema”

Jul 24, 2012 | 11:31
Zv.ministrja e Punës, Filloreta Kodra, dje në Komision

Ndryshimi i skemës së pensioneve duhet të bëhet shpejt, në mënyrë që “gropa” që krijohet në buxhet të eliminohet. Për zëvendësministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra, kjo lind si një nevojë emergjente pasi deficiti arrin në 2 për qind të PBB-së. Të gjitha këto deklarata Kodra i bëri në Komision Parlamentar të Punës, nga ku deklaroi se për të bërë këto ndryshime duhet edhe konsensusi politik. Ajo vlerësoi se skema e pagesës së kontributeve aktuale, nëse mbetet e tillë, do të vijë në përkeqësim, dhe kjo është arsyeja pse po punohet për ndryshimin e saj dhe se në këtë pikë opozita duhet që të jetë mbështetëse e reformës. Në detaje, zëvendësministrja sqaroi se aktualisht në vendin tonë raporti kontribuues-përfitues është i ulët krahasuar me atë që duhet që të ishte. Sot kemi 1.1 kontribuues për 1 përfitues, kur normalisht duhet të ishte 3 përfitues për një kontribuues. Numri i ulët i përfituesve e ka nxitur opozitën që të interesohet rreth shkaqeve të këtij niveli, dhe kjo, nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë, është argumentuar me nivelin e informalitetit dhe masën e ulët të kontributeve që paguhen sot mbi pagën.
Kreu i qeverisë, Berisha, pak ditë më parë bëri me dije se tashmë është gati platforma mbi të cilën do të bëhet referomini i sistemit të pensioneve në vend. Qeveria prej kohësh është duke u asistuar nga Banka Botërore për të bërë ndryshimet e duhura dhe do të jetë kjo e fundit që do të bëjë rekomandimet. Banka Botërore vetë ka deklaruar se ende nuk ka bërë rekomandime konkrete për qeverinë dhe se është ende duke u punuar për një platformë finale.
Dy vjet më parë, BB paralajmëroi se Shqipëria duhet të ndryshonte skemën e pensioneve, pasi kjo aktuale është e falimentuar.

Si do të jetë skema e re
Banka Botërore ende nuk ka dhënë rekomandimet e saj përfundimtare, por pritet që skema e re e pensioneve të funksionojë në bazë të tri kolonave. Kolona e parë është ajo e kontributit të detyrueshëm në skemën shtetërore; kolona e dytë do të jetë një kolonë e detyrueshme në subjekte private të licencuara nga qeveria; kolona e tretë është ajo e sigurimit vullnetar për ata që duan të përfitojnë më shumë dhe që aktualisht funksionon në vendin tonë.

© Panorama.al

Te lidhura