“Nuk negociohet as statusi, as territori”

Mar 7, 2011 | 9:44

Drejtuesja e delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka deklaruar nga Uashingtoni se as statusi dhe as shkëputja e veriut nuk do të diskutohen kurrë në bisedime. “Ne do të shkojmë në bisedime si shtete të pavarura, pasi për ne statusi është një çështje e mbyllur”, tha Tahiri, duke konfirmuar se këtë tezë e ka mbrojtur edhe nënsekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg. “Në bisedime do të jenë BE, SHBA dhe Beogradi me Prishtinën. Njëra palë nuk mund të imponojë e vetme temën e bisedimeve. Çështja e statusit është e përfunduar”, ka pohuar Tahiri. Sipas kryenegociatores, në procesin e ri nuk do të diskutohet as opsioni i përfolur për ndarjen e Kosovës, pasi “Nuk ekziston as çështja e veriut dhe as çështja e Mitrovicës. Ajo që ekziston, është çështja e një pjese të serbëve që jetojnë në pjesën veriore, të cilët që nga paslufta kanë hezituar të bëhen pjesë e realitetit të Kosovës dhe ndikohen nga Beogradi”, tha  Tahiri. Por me gjithë përsëritjet e vazhdueshme nga qeveria, se Kosova nuk do të cenohet nga këto bisedime të reja, Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë procesin, duke e cilësuar të papranueshëm. Ndërsa sot pritet që Kuvendi i Kosovës të diskutojë në një seancë të jashtëzakonshme mbi procesin e ri të bisedimeve, kërkuar kjo nga Vetëvendosje. Dje, dhjetëra aktivistë të kësaj lëvizjeje kanë organizuar një aksion para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, ku kanë shpalosur një parullë me moton “Dëshmorët nuk negociuan”. Sipas Vetëvendosje, dëshmorët e kombit nuk duhet të nderohen vetëm duke vizituar varret e tyre në Ditën e dëshmorëve, por edhe duke kujtuar veprat e tyre. Sipas Kreshnik Ahmetit, nga Vetëvendosje, luftëtarët e UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar kundër Serbisë, me të cilën sot po negociohet nga ana e pushtetarëve. Ai ka theksuar se derisa luftëtarët e lirisë ishin betuar për çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tyre, institucionet e vendit po hyjnë në një dialog me Serbinë, që do të përfundojë me ndarjen e Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura