“Ngrica” bllokon 50 kg drogë

Jan 30, 2012 | 11:18

Makina me të cilën transportohej droga

GJIROKASTER/ Nga Lazarati me destinacion Borshin e Sarandës. Identifikohet një prej autorëve

I shpëtojnë ndjekjes së policisë dy trafikantët

Një operacion antidrogë i koduar “Ngrica” është ndërmarrë nga ana e specialistëve të sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Një sasi prej 50 kg marijuane është bllokuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, në postblloqet e shërbimeve grackë të ngritura përgjatë zonës Picar-Kolonjë. Burimet policore thanë se marijuana po transportohej nga fshati Lazarat në drejtim të Vlorës, nëpërmjet aksit rural të komunës Picar. Është mësuar se pasi të mbërrinte në Picar, ajo do të transportohej më pas me kafshë dore për të dalë në Borsh të Sarandës. Automjeti tip “Opel”, për të cilin kishte informacion se ishte duke kryer transportimin e lëndës narkotike, është parë nga patrullat e shërbimit të lëvizë në drejtim të fshatit Golem në rrugën ndërmjet fshatit Picar dhe fshatit Kolonjë të komunës Picar të Gjirokastrës. Në momentin që automjeti është afruar, patrulla policore i ka dalë përpara dhe, duke përdorur shenjat dalluese të policisë, i ka bërë thirrje drejtuesit të të ndalonte. Fillimisht ai ka ulur shpejtësinë dhe ka dhënë përshtypjen e sjelljes korrekte, por sapo i janë afruar agjentët e antidrogës, i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar me shpejtësi, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e punonjësve të policisë. Specialistët e sektorit kundër narkotikëve janë vënë në ndjekje të automjetit, por ai ka devijuar nga aksi rural që lidh këto fshatra dhe u fut në një rrugë qorre. Ndjekja ka vijuar dhe kjo ka bërë që drejtuesi “rebel” i automjetit, duke mos parë asnjë mundësi për të vazhduar udhëtimin me automjet, e ka braktisur atë dhe bashkë me shoqëruesin e tij që u pa të kishte në kabinë, janë larguar në terrenin e thepisur, duke marrë me vete çantën me drogë. Por nuk ka zgjatur shumë udhëtimi së bashku me “bagazhin” me lëndën narkotike, në kushtet kur policia vazhdonte t’i ndiqte dhe, pasi kanë ecur rreth 1 km më këmbë, janë detyruar të braktisin edhe çantën dhe ia kanë dalë të fshihen, duke u futur në pyllin e Kolonjës, të favorizuar nga errësira dhe nga terreni mjaft i vështirë. Në vendin ku u gjet e braktisur çanta me lëndën narkotike, ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka dokumentuar se në çantën e madhe të shpinës ndodheshin 30 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme dhe përmbajtja e tyre ishte lëndë narkotike e dyshuar e llojit marijuanë, në sasinë e përgjithshme rreth 50 kg. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Opel” me targë TR 78 86 K, që ka rezultuar në pronësi të shtetasit Donald Lika, 22 vjeç, lindur e banues në Tepelenë, ndërsa nuk është identifikuar personi i dytë që ishte me të. Rasti i një dite më parë vjen pas operacionit antidrogë “Akulli” të disa ditëve më parë, gjatë të cilit u sekuestruan 3 pistoleta dhe 150 kg marijuanë, si dhe u shpallën në kërkim 6 shtetas. Dy rastet e fundit të narkotrafikut tregojnë se trafikantët kërkojnë rrugë të reja në akset rurale të papërdorura më parë për të realizuar trafikimin, pasi përballen me rritjen e forcës goditëse të sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, si në akset rrugore nacionale edhe në kufirin jeshil me shtetin grek.

Në bagazhe zbulohen 6 kg marijuanë
Drogë në autobusin e linjës Shkodër-Athinë, kapet shoferi

Autobusi i bllokuar në Kakavijë

KAKAVIJE – Bllokohet drogë në një nga autobusët e linjës Shkodër–Athinë. Policia kufitare e Kakavijës ka kapur 6 kg lëndë narkotike në tentativën për t’u trafikuar në shtetin grek. Kanë  qenë shërbimet e përforcuara në pikëkalimin kufitar të Kakavijës që kanë bërë zbulimin dhe bllokimin e saj në orët e mbrëmjes, kur ka mbërritur autobusi me targë TR 63 90 M, që drejtohej nga 57-vjeçari Selami Kalaja. Shërbimet e policisë kufitare kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm të të gjitha çantave dhe valixheve që ndodheshin në bagazhin e autobusit, në prani të çdo udhëtari. Nga kontrolli ka rezultuar se në njërën prej valixheve, të cilës nuk i korrespondonte asnjë biletë, mes rrobash të brendshme femre, ishin fshehur 6 pako të mbështjella me letër alumin dhe natriban. Brenda tyre kishte lëndë narkotike të presuar e llojit marijuanë, në sasi rreth 6 kilogramë. Pas shoqërimit të shoferit në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër dhe pas dokumentimit me prova ligjore të autorësisë së kësaj vepre penale se valixhja që përmbante lëndë narkotike kishte të bënte me drejtuesin e autobusit, u bë arrestimi i Kalasë. Në përfundim të veprimeve paraprake hetimore dhe procedurale, autobusi, së bashku me pasagjerët, rreth orës 23:30, është lënë i lirë të vazhdojë rrugën për në Athinë me shoferin e dytë. Materialet në ngarkim të shtetasit Selami Kalaja do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për ndjekje të mëtejshme për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Pritet që të hetohet mbi lidhjen e tij me drogën, nëse ka qenë vetë shoferi pronar apo po e transportonte për llogari të dikujt tjetër.            p.n

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura