Nëse me të vërtetë do të shërbejë për diçka, jemi të gatshëm të mos shkojmë në Europian. Kjo shfryrje e lëshuar nga trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, ka ardhur menjëherë pas lajmeve të fundit që kanë dalë për lëvizjet bankare të portierit Bufon, që mendohet se janë bërë për baste ilegale. “Ka gjëra më të rëndësishme dhe nuk më pëlqejnë kryqëzatat. Do të desha të flisja vetëm për futboll, por nuk është e mundur. Për sa u përket futbollistëve të përfshirë nuk do të marrin pjesë në Euro 2012; Bufon? Ka shumë personalitet dhe sipas meje është një futbollist i rëndësishëm për Italinë”, ka thënë tekniku i “axurrëve”. Ish-trajneri i Fiorentinës ka shkuar deri në ekstrem kur ka deklaruar se ai së bashku me skuadrën është gati të tërhiqet e të mos marrë pjesë në Euro 2012. “Nuk më pëlqejnë marrjet e pozicioneve përpara se të mendosh për pasojat. Do të dëshiroja të flisja vetëm për futboll, por çështjet e fundit na detyrojnë të bëjmë diçka tjetër. Për sa u përket futbollistëve të përfshirë, vazhdoj të them se nuk do të marrin pjesë në Europian. Më pas nëse duam të krijojmë kryqëzata, i krijojmë, por mua nuk më pëlqejnë. Bufon është shumë i fortë, ka personalitet të madh, megjithatë situata mund të ndryshojë edhe për të e të kushtëzojë pjesëmarrjen e tij”, ka thënë Prandeli.
Edhe Toni përfshihet në trukime|
Kriza dhe skandali i trukimeve të ndeshjeve ka futur në mes edhe 2 yje të futbollit italian. Portieri i Juventusit dhe Italisë Bufon po akuzohet se është i përfshirë në një rrjet kriminal, pas zbulimit të disa transaksioneve të dyshimta. Hetimet e policisë financiare kanë arritur në përfundimin se Bufon ka dërguar disa çeqe prej 50-200 mijë eurosh në një pikë bastesh në qytetin e Parmës. Sakaq, në listën e trukimeve të ndeshjeve është i përfshirë edhe sulmuesi veteran italian, Luka Toni. Edhe për këtë të fundit policia ka nisur hetime, por pa dhënë shpjegime.











