Prej disa ditësh, Fakulteti i Muzikës në Akademinë e Arteve është përfshirë nga një debat mbi mënyrën e konkurrimit të kandidatëve për studentë në këtë Fakultet.Kushdo do të thoshte se është vonë për një debat të tillë. E në fakt është vonë. Ky debat nisi pas përfundimit të fazës së parë seleksionuese për konkurrentët. Pas shpalljes së kandidatëve që kishin mundësi të vijonin fazën e dytë të konkurrimit, ia beh një urdhër nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas të cilit të gjithë pjesëmarrësit e fazës së parë duhet të merrnin pjesë edhe në të dytën dhe se nuk ishte e drejtë që konkurrentët t’i nënshtroheshin një seleksionimi të tillë. Mjafton të hedhësh një sy në faqen zyrtare të Akademisë së Arteve për të parë se kriteret e konkurrimit kanë dalë qysh në muajin prill. Një dokument, i cili i ka shkuar edhe Rektoratit të AA-së (i cili bën edhe publikimin on line) dhe më pas MASH-it, nga nuk kishte ardhur asnjë reagim apo vërejtje. Në bazë të kritereve të shpallura, konkurrenti më parë do të kalonte një fazë të parë, që parashikonte një provim me shkrim në lëndët Solfezh dhe Harmoni e pasi të kalonte këtë fazë, do mund të hidhej tek e dyta.
Letra
Pas zhvillimeve më të fundit, Këshilli i Etikës së FM është mbledhur dhe ka vendosur t’i dërgojë qëndrimin e saj ndaj këtij vendimi, ministrit të MASH, Myqerem Tafajt, për dijeni rektorit Petrit Malaj dhe Kryeministrit Sali Berisha. Ky qëndrim është firmosur nga Sokol Shupo, Shqipe Zani, Arben Basha, Vojsava Mane, Alqi Lepuri, Petrika Afezolli, Ilirjana Dema, Raimonda Alikaj dhe Elvis Rudi. Në këtë qëndrim ata sqarojnë mënyrën se si janë hartuar këto kritere, duke marrë eksperiencën më të mirë të simotrave europiane dhe, mbi të gjitha specifikën që ka Fakulteti i Muzikës, ndryshe nga të gjitha fakultetet e tjera, të cilat mbështeten mbi provimet e Maturës Shtetërore, çka nuk do të mjaftonte për të provuar aftësitë e një muzikanti të ardhshëm. “Nëse fakultetet e shkencave mbështeten mbi rezultatet e lëndëve shkencore, kjo nuk është një e dhënë për një instrumentist. Ndaj ne duhet të provojmë njohuritë që ata kanë në lëndët bazë që i nevojiten për studimet e mëtejshme, që janë solfezhi dhe harmonia”, thotë dekani i FM, Sokol Shupo. Sipas tij, zhvillimet më të fundit dhe rezultatet e fazës së parë tregojnë për një “gropë” në sistemin arsimor. Nxënësi që vinte me notën 10 nga Liceu, nuk rezultonte kaq i mirë në provimin e pranimit, çka dëshmon edhe fiktivitet. Mësojmë se në fazën e parë të pranimit në FM kanë marrë pjesë 172 konkurrentë, nga të cilët 38 nuk e kaluan dot fazën e parë. Me urdhrin e MASH, të gjithë këta studentë u futën në fazën e dytë, por mësohet se sërish rezultatet e tyre nuk janë pozitive. “Nuk bëhet fjalë për një konkurs, por për muzikantët që do të dalin nesër”, thotë Shupo.
Kriteret
Në qëndrimin dërguar MASH-it, Këshilli i Etikës së Fakultetit të Muzikës sqaron se kriteret janë hartuar mbi parimin se pa një përgatitje të mirë, është e pamundur që një student të arrijë synimet e tij, por mbi të gjitha “mbi një shqyrtim të hollësishëm statistikor të përfundimeve të Konkurseve të Pranimit të tre vjetëve të krahasuara me notat që konkurrentët kishin marrë në shkollat e mesme dhe si përfundim i një ankete të hollësishme të kryer nëpërmjet MASH me shkollat e mesme të muzikës”. Më poshtë, ata sqarojnë rrugën që është ndjekur deri në ditën e konkursit. Që do të thotë, që nga hartimi i kritereve, të cilat janë mbështetur nga rektori i AA, dërgimin në MASH dhe publikimin. “Këto kritere, si rregull, shkojnë edhe në MASH për t’u shqyrtuar (të firmosura dhe të vulosura nga titullari i Institucionit, pra të miratuara) dhe ne besojmë se Rektorati do t’i ketë përcjellë në kohë. Por, as prej specialistëve të MASH nuk kemi ndonjë reagim, i cili ndoshta do të kishte mundësuar gjetjen e një rrugëzgjidhjeje që të përshtatej me specifikat profesionale të Universitetit të Arteve. Më në fund, Rektorati i ka publikuar këto kritere në website-n e Akademisë së Arteve qysh në fund të muajit prill dhe janë botuar edhe në organet e shtypit, kështu që të gjithë konkurrentët janë njohur me to prej muajsh. As prej tyre nuk kemi pasur, deri pas ditës që mbaroi faza seleksionuese, ndonjë reagim. Për më shumë, dekani dhe rektori kanë dhënë edhe intervista dhe informacione mbi këtë çështje në organet e ndryshme të shtypit”, shkruhet në këtë letër. Madje, ata nuk lënë pa hedhur edhe hipotezën se e gjithë kjo situatë u krijua pa “ankesë të ndonjë konkurrenti, i cili është paraqitur i papërgatitur në fazën e parë”. Përfaqësuesit e FM i bëjnë thirrje ministrit të Arsimit dhe Shkencës ta dëgjojë më tepër zërin e drejtuesve të Fakultetit të Muzikës dhe të të gjithë pedagogëve. “Në këto katër vjet, ne kemi kryer një reformë, e cila e afron këtë Fakultet më shumë se asnjëherë tjetër me standardet ndërkombëtare dhe është e palejueshme që burokratë, të cilët as nuk i lexojnë materialet që pasqyrojnë këto përpjekje, ta rrëzojnë gjithë këtë punë për të cilën kemi investuar me përkushtim dhe të cenojnë kështu edhe dinjitetin tonë profesional e njerëzor. Kjo është arsyeja që mendojmë se kthimi i rezultateve të deritanishme të provave të pranimit nuk krijon veçse çoroditje dhe, duke rrëzuar punën e nisur me mund dhe përkushtim prej kaq vitesh, e kthen këtë Fakultet dhjetëra vite pas”, përfundojnë ata.
ALMA MILE











