
U përcoll dje për në banesën e fundit poeti Pano Taçi, i cili u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Pak familjarë dhe më shumë miq dhe kolegë, që në këtë ditë të mbrame iu gjendën pranë. Kishte ardhur dhe i biri, i cili e njohu pak të atin, për shkak të divorcit qysh kur ishte fare i vogël. E gjitha ajo situatë i duket pak e pazakontë. Ndodhej në funeralin e të atit, përgatitur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Instituti i të Përndjekurve Politikë. Nuk di ç’të thotë, ndaj dhe për të flasin më shumë miqtë. Ata që do ta kujtojnë vazhdimisht energjik e hokatar, duke baritur mbi motor, deri në ditët e fundit, duke gjerbur një kafe apo duke pirë një gotë në kafe “Europa”, ku shkruante në copa letrash poezi. Deri në ditët e fundit ai shpresonte të shihte të botuar edhe vëllimin e tij më të ri me poezi, të titulluar “Muzgu vjen papritur”. Një libër-parandjenjë, për ikjen e tij, të cilin e la në proces botimi. “Jemi shumë të vetëdijshëm që në këtë lamtumirë ndjehemi shumë të pasuruar nga një krijues rebel, i papërkulur, autentik që përdori muzën e tij, frymëzimin dhe talentin vetëm në shërbim të poezisë shqipe”, do të thoshte shkrimtari Agron Tufa. “Është një poet i vargut të rregullt, vargut melodioz, shumëplanësh, ka pasur një jetë nga më të vështirat që mund të ketë njeriu në këtë botë”, thotë poeti Bardhyl Londo, i cili u kujdes në veçanti për ceremoninë e lamtumirës. Si organizator dhe financues i i kësaj përcjelljeje, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, qëndroi deri në fund të homazheve për poetin, që shteti u kujtua shumë pak në të gjallë, edhe pse sakrifikoi 43 vjet të jetës së tij burgjeve e kampeve të internimit. Për të nderuar për të fundit herë poetin Pano Taçi, në homazhet e organizuara dje nga ora 10:00-11:00 në hollin e Teatrit Kombëtar, erdhi edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Sot i japim lamtumirën e fundit një personaliteti të botës së letrave, të ndjerit Pano Taçi, i cili konsiderohet një nga emrat më të spikatur të lirikës, por në të njëjtën kohë, një njeri me shpirt të lirë, me shpirt rebel për të kundërshtuar atë konformizëm të egër, që vinte nga diktatura”, u shpreh Topi, pasi u shprehu ngushëllimet të afërmve të poetit. “Besoj se është i papërsëritshëm në përballjen e tij me diktaturën komuniste dhe ai do të mbetet pa dyshim në kujtesën e kombit, jo vetëm si një njeri me talent në poezi, por në radhë të parë një njeri me karakter të fortë, vazhdoi Topi.
Topi
Pano Taçi kaloi 43 vjet në burgje e internime, prej vitit 1947 deri në 1990. Pano Taçi nisi menjëherë të botonte dhe arriti të sillte në dritë një sërë vëllimesh poetike, por jetonte në mënyrë fare modeste, në një shtëpi me qira, ndërsa nuk arriti dot kurrë të merrte dëmshpërblimin për vitet e dënimit. I pyetur mbi këtë temë, Presidenti Bamir Topi u shpreh se ky është një shqetësim për të gjithë ish-të përndjekurit politikë. “Sa më shpejt që të jetë e mundur, të realizohet ajo që ata e presin dhe që është pa dyshim pjesë e detyrimit të politikës për ta realizuar”, tha ai.











