BEOGRAD- Familja dhe avokatët e Ratko Mlladicit pritet të apelojnë sot kundër ekstradimit të ish-komandantit të serbëve të Bosnjës për në Hagë, ku do të përballet me akuzat për krime lufte.
Familja thotë se 69-vjeçari Mlladic është shumë i sëmurë që të përballet me një proces gjyqësor, që përfshin edhe akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Të dielën, më shumë se 100 persona janë arrestuar, ndërsa 30 të tjerë janë lënduar në dhunën që shpërtheu në Beograd, gjatë protestës ku bëhej thirrje për lirimin e tij.
Protesta është organizuar nga Partia Radikale Serbe. Ajo është përshkruar si paqësore, mirëpo më pas disa protestues kanë gjuajtur me gurë dhe janë përleshur me policët që ishin prezentë.
Mlladici akuzohet se e ka udhëhequr operacionin që çoi deri te Masakra e Srebrenicës në vitin 1995 dhe krime të tjera gjatë luftës së Bosnjës – të zhvilluar prej vitit 1992 – 1995.
Ekstremistët: Mlladiç, hero. Beogradi rrit sigurinë
BEOGRAD-Autoritetet serbe kanë rritur nivelin e sigurisë që të përballojnë shqetësime të mundshme gjatë protestes, kundër arrestimit të të dyshuarit për krime lufte në Bosnje, Ratko Mlladic.
Qindra veta që kanë lidhje me organizatat ekstremiste, janë mbledhur në Beograd për të protestuar kundër arrestimit të Mlladicit.
Aktivisti i partisë radikale serb, Slobodan Boziq, tregon arsyen pse janë mbledhur: “Ratko Mlladiq është një komandant i ushtrisë së popullit serb, ndërsa arrestimi i tij është një turp i madh për popullin e Serbisë dhe shtetin tonë. Ai është hero i popullit serb, ai e ka mbrojtur kombin tonë dhe për këtë arsye ne të gjithë duhet të dalim në rrugë për të tregur përkrahjen tonë për të”, tha Boziq.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daqiq, ka thënë se po rriten masat e sigurisë para një proteste të një grupi të ekstremistëve të djathtë.
Avokati i Mlladicit, Millosh Shaljic, ka thënë se Mlladici iu ka kërkuar përkrahësve të tij që të qëndrojnë të qetë dhe paqësor.
Mlladiqi akuzohet se ka qenë hartuesi i planit për masakren e Srebrenicës në vitin 1995, dhe krimeve të tjera gjatë luftës së Bosnjes, gjatë viteve 1992 – 1995.
Ai u arrestua të enjten më 26 maj. Momentalisht po mbahet në një burg të Beogradit, duke e pritur transferin për në brugun e Tribunalit të Hagës, ku do të përballet me akuzat për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
“Mlladiç”, Partia Radikale, thirrje për protesta
Një parti ultra-nacionaliste serbe u ka bërë thirrje përkrahësve të saj të protestojnë kundër arrestimit të Ratko Mlladiçit.
Partia Radikale Serbe u ka kërkuar përkrahësve të saj të mblidhen nesër para selisë së Asamblesë Kombëtare në Beograd për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj arrestimit të Mlladiçit që ata e cilësojnë si “tradhëti”.
Rreth 15 mijë vetë morën pjesë në një protestë të ngjashme në vitin 2008, pas arrestimit të të akuzuarit tjetër për krime lufte Radovan Karaxhiç. Një person gjeti vdekjen dhe të paktën 44 të tjerë u plagosën kur protestuesit u përleshën me policinë.
© Panorama.al












