“Meta është me Saliun, t’i rrëzojmë”

Dec 14, 2011 | 11:53

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje Asamblenë e zgjeruar të qarkut të Durrësit. Në këtë takim, kreu i selisë rozë konfirmoi qëndrimin për të prerë çdo urë bashkëpunimi me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Sipas Ramës, Meta është në krahun e kundërshtarit dhe për këtë arsye, detyra e socialisteve do të jetë rrëzimi i të dyve nga pushteti. “Në kushtet e një regjimi fashist mjafton të jemi të gjithë bashkë. Nuk kemi pse të kemi luhatje. Meta është me Saliun, te Saliu për Saliun. Jemi në opozitë për ta rrëzuar bashkë me Saliun”, pohoi Rama. Shefi i opozitës nga Durrësi përsëriti kërkesën për shtimin e anëtarësisë së PS-së deri në 30%, vendim që u mor në Kongresin e 5 nëntorit, ditë ku u prezantua dhe programi i ri politik. Gjatë takimit, kryetari Rama ka kërkuar nga të zgjedhurit e kësaj asambleje një punë më të madhe në komunikimin dhe hapjen e partisë për njerëzit. “Detyra jonë është të afrojmë njerëz, të shtojmë fuqinë, të jenë pjesë e kësaj historie që po e shkruajmë së bashku”, deklaroi kreu i opozitës.
RIORGANIZIMI
Kyesocialisti Rama kërkoi nga të zgjedhurit vendorë që të mbledhin në mënyrë të përhershme strukturat e qarkut dhe rrethit. “Do t’u japim një peshë më të madhe anëtarëve të partisë, forumeve dhe jetës së brendshme, për më shumë kohezion dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Asambleja e zgjeruar e qarkut dhe e rrethit janë forume që do t’i vëmë në funksion të plotë. Forume që do të mblidhen sistematikisht”, theksoi Rama. Duke nënvizuar faktin se Partia Socialiste është një forcë politike me një organizim, transparencë dhe vendimmarrje krejt ndryshe nga forcat e tjera politike në vend, Edi Rama vlerësoi domosdoshmërinë dhe nevojën e qytetarëve për vendosjen e një demokracie funksionale: “Nuk kemi asnjë kusht tjetër për të afruar njerëzit, përveç kushtit që të duan largimin e këtij pushteti dhe vendosjen e një demokracie funksionale. Vend në këtë parti ka për të gjithë.
LLOGARIDHËNIA
Shefi i opozitës kërkoi nga strukturat në bazë që të kenë pikë prioritare dhënien e llogarisë te qytetarët dhe te të zgjedhurit e të gjitha niveleve. “Ta kthejmë jetën e partisë në një jetë aktive. Të krijojmë mundësi që të zgjedhurit e niveleve më të larta të kërkojnë llogari dhe të japin llogari. Të kemi brenda vetes kohezionin si një familje politike duke pranuar dhe bashkëpunuar me njëri-tjetrin”, u shpreh Rama. Fitorja e zgjedhjeve lokale në Bashkinë e Durrësit është cilësuar nga kreu i PS si një fitore që pakkush e priste. E, duke vazhduar më tej arsyetimin, Rama i ka orientuar anëtarët e kësaj asambleje për nevojën e një vetëdijeje për fazën e re ku e gjithë PS ka hyrë, atë të shpenzimit të të gjitha energjive për organizimin.

PS, votë kundër Bujar Leskajt
Bujar Leskaj do të përballet me “kartonët e kuq” të opozitës gjatë votimit që do të bëhet në Parlament. Kryesocialisti Edi Rama, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, konfirmoi dhe njëherë votën kundër kandidaturës së propozuar nga Presidenti për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për Ramën, kandidatura e Bujar Leskajt nuk përmbush asnjë nga kushtet për të mbajtur postin e KLSH-së. Ndryshe nga maxhoranca, që një ditë më parë vendosi ta votojë Leskajn, duket se të majtët do të mbajnë një qëndrim më të ashpër për dekretin e Presidentit Topi. Sot, kandidatura e Bujar Leskajt do t’i nënshtrohet seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Mbledhja është parashikuar të zhvillohet në orën 11:00 dhe Leskaj pritet të shpalosë vizionin e tij për një mandat 7-vjeçar në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura