TIRANE- Kryesia e Partisë Socialiste vendosi sot që të mbledhë Asamblenë e saj të dielën në orën 11:00.
Kryesia doli sot edhe me një mendim të përbashkët lidhur më vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata e Lartë, e cila shpalli të pafajshëm , kreun e LSI-së Ilir Meta.
Për ta, vendimi është dëshmi e rënies së shtetit të së drejtës dhe si provë e kapjes së Gjykatës së Lartë nga pushteti i Sali Berishës.
“Duke shprehur në këtë rast indinjatën, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë të tronditur thellë dhe me plot të drejtë nga rrënimi përditë e më i madh i shtetit të së drejtës, Partia Socialiste e Shqipërisë nënvizon me forcë domosdoshmërinë e rivendosjes së demokracisë në vend dhe u bën apel të gjitha forcave demokratike të shoqërisë të vihen aktivisht në shërbim të këtij misioni kombëtar”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
© Panorama.al











