“Më shkatërruan injeksionet e Junajtid”

Sep 24, 2011 | 12:14

Gjashtë nëntori i vitit 2010 është një nga ditët më të vështira për Ouen Hargrivs. Ai pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen ndaj U’Hemptonit dhe përfundoi i përlotur nga dhimbjet në dhomat e zhveshjes së “Old Trafford”. Rikthimi te Mançesteri përfundoi me një dëmtim, pas vetëm 4 minutash në fushë. “Nuk duhet të kisha luajtur në atë ndeshje, por Junajtid donte që unë të aktivizohesha. Në stadium ishin 70 mijë persona dhe nëse nuk do kisha zbritur në fushë, atëherë do të më akuzonin se nuk dëshiroja të luaja”. Gjendja fizike e futbollistit, i cili u transferua për 19 milionë euro nga Bajerni në vitin 2007, u rëndua deri në një mungesë 2-vjeçare prej operacioneve të herëpashershme në gju. “Më bënin injeksione, por tendina ime nuk ishte më kurrë si më parë. Pas gjilpërave përpiqesha të ngrihesha në këmbë, dhe ata (doktorët) më thoshin se isha mirë. Por unë ndihesha sikur të isha prej qelqi. Me gjurin që nuk më përgjigjej e ndjeja veten si një ‘kavje’”. 30-vjeçari u rikthye në fushë të mërkurën si për ironi me fanellën e rivalëve të “djajve”, Sitit. Madje shënoi edhe gol. “Me sa di unë, stafi mjekësor i Mançesterit është një nga arsyet përse ne kemi qenë kaq të suksesshëm këto vitet e fundit. 5 doktorët e mi janë fantastikë. Ky është një fakt më i rëndësishëm se mendimi i dikujt tjetër”, ka komentuar menjëherë pas kësaj deklarate trajneri i Mançester, Aleks Ferguson.

© Panorama.al

Te lidhura