“Me Honvedin na mungoi goli, dua Taipin në ekip”

Jul 14, 2012 | 13:13
Shkëlqim Muça

Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, ka vlerësuar maksimalisht lojën e skuadrës së tij edhe në ndeshjen e dytë ndaj Honvedit, paçka se ashtu si në Vlorë, humbi dhe u eliminua nga Liga e Europës.  “Nuk jam i zhgënjyer aspak nga skuadra. Sigurisht nga rezultati po, por nga loja absolutisht jo. Luajtëm një ndeshje të mirë, ndër më të mirat, ku dominuam në të gjitha aspektet, krijuam raste pafund, por për fatin tonë të keq na mungoi goli. Ndoshta po të kishim qenë disi më rezultativë para portës, sot do flisnim ndryshe. Por ama ia bëmë hyzmetin, pasi provuam dy herë me Lenën, me Telushin, Pejiçin, Memellin dhe topi nuk donte të adresohej drejt rrjetës. Ata (Honvedi) erdhën shumë pak herë te porta jonë, por aq mjaftoi për të na ndëshkuar. Pikërisht këtë gjë duhet të rregullojmë në lojën tonë. Të jemi më cinikë dhe më mirë të mos luajmë aq mirë e të marrim rezultat, sesa të humbasim në këtë mënyrë”, pohoi tekniku në një prononcim për “Panorama Sport”, ditën e djeshme pas kthimit nga Hungaria. Më tej, tekniku i kuqezinjve ka analizuar edhe repartet në veçanti, duke u ndalur më së shumti te dyshja Pejiç-Memelli. Sipas Muçës, këta të dy mund të luajnë shumë mirë bashkë, por thjesht u nevojitet pak më shumë kohë për t’u ambientuar me njëri-tjetrin. “Për mua, Pejiçi dhe Memelli luajnë të dy dhe këtë e them me bindje. Të jeni të sigurt se ne si klub, me drejtuesit, me presidentin dhe stafin teknik konsultohemi gjatë kur marrim një lojtar në skuadër dhe nëse do kishim dyshime për mënyrën e lojësn atëherë nuk kishim arsye pse të afronim edhe Memellin. Në ndeshjen e parë në Vlorë, Memelli luajti më pak edhe për faktin se nuk ishte në formën e kërkuar, ndërsa dje (pardje) e pashë mjaft mirë dhe kuptohej me Pejiçin. Sigurisht që do duhet një farë kohe që skuadra të vijë në formën e saj më të mirë dhe unë këtë gjë ua kam transmetuar edhe drejtuesve. Aty janë disa lojtarë që nuk kanë luajtur asnjëherë bashkë dhe mund të kenë cilësi individuale të jashtëzakonshme, por që u duhet pak më shumë kohë që të kuptohen me njëri-tjetrin. Ndoshta ky ishte edhe problemi i vetëm që ne patëm në dy ndeshjet me Honvedin”, vazhdoi Muça. Në fund, tekniku i mirënjohur ka zbuluar edhe një tratativë merkatoje, një lojtar që sipas tij i nevojitet skuadrës. “Unë nuk i heq asnjë lojtar skuadrës sime. Janë që të gjithë cilësorë dhe uroj që presidenca të gjejë gjuhën me të gjithë në momentin e rinovimeve. Ndoshta do duhet që të marrim edhe një lojtar tjetër, në krahun e majtë. Duhet një lojtar që të mund të luajë në mesfushë dhe mbrojtje, pasi aty kemi vetëm Micin. Unë kam biseduar me drejtuesit dhe kemi pikasur një futbollist të ri të talentuar të Kombëtares U-21, Gjelbërim Taipin. Kemi vetëm një problem me këtë lojtar, se ai ka edhe një vit kontratë me Shkëndijën e Tetovës, por presidenti Gjika është në bisedime me drejtuesit e Shkëndijës dhe besojmë se do arrijmë marrëveshjen për këtë lojtar”, përfundon Muça.

Ankth për rinovimet, ja kush rrezikon
Pas largimit të Gerhard Prognit dhe Gentian Muçës, të tjerë priten t’i pasojnë. Pra nuk përjashtohen as largime të tjera, por as afrime. Para se të nisnin aventurën europiane, drejtuesit e Flamurtarit me plot bindje u shprehën se 90% e futbollistëve të ekipit aktual do të qëndronin, por pas eliminimit gjërat mund të ndryshojnë disi. Ditët në vazhdim do të vërtetojnë disa plane të së ardhmes, ndërsa ata lojtarë që nuk u aktivizuan në ndeshjet e Ligës së Europës ka mundësi që t’i thonë lamtumirë fanellës kuqezi. Pepa, Mici dhe Bishaj, që kanë nga një kontratë 2-vjeçare, së bashku me Sozën, mund të vijojnë të qetë disa ditë pushime, ndërsa të tjerët janë në pritje. Burime nga klubi bëjnë me dije se për Pejiçin, Pezon, Lenën dhe Rajoviçin janë gati kontratat 1-vjeçare.

Gjelbrim Taipi
Datëlindja: 13.12.1992
Vendlindja: Bujanovc, Preshevë, Serbi;
Gjatësia: 1.75 m;
Pozicioni: Mesfushor;
Karriera: 2010-2011 Tërnoci; 2011-2012: Shkëndija;
Me U-21 të Shqipërisë: 2 ndeshje, 0 gola.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura