
“Fotografia ka kapacitet të prodhojë imazhe të njeriut dhe mjedisit të tij që janë edhe vepra arti, edhe momente në histori”.
Këtë thënie të fotoreporteres amerikane Dorothea Lange e kanë huazuar organizatorët e konkursit fotografik “Mbro e promovo”, që u zhvillua në Tiranë e këto ditë ka hapur një ekspozitë në ambientet e Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian. Mes 70 fotografish të paraqitura, një juri profesionistësh ka përzgjedhur 10 më të mirat, të realizuara nga 10 fotografë, të cilat edhe janë ekspozuar për publikun. Sigurisht mes tyre u zgjodh edhe fotografia më e mirë, e realizuar nga Ared Tagani, me titull “Galeria e artit të humbur”. Mes dhjetëra fotografive të realizuara në gjithë Shqipërinë e ku nuk mungonin gjetjet dhe optikat e veçanta, duket se kompozimi i Taganit ka qëlluar tamam në shenjë, duke iu qasur më së shumti idesë së organizatorëve. Ajo të jep përshtypjen e fotografive të vjetra, të zverdhura nga koha, ku tregohet një vajzë në një pezul dritareje të vjetër, me vështrimin jashtë për nga një ndërtesë tipike tiranase. Kujt i ka rënë rasti të kalojë portën e drunjtë e të shohë pas murit të gurtë, mund ta dallojë se bëhet fjalë për një nga shtëpitë e vjetra të Toptanëve, e qarkuar nga muret e Kalasë së Tiranës. Një ndërtesë shekullore, e cila duket sikur mezi i mban vitet mbi shpinë. “Fotoja është një inskenim i një ekspozite arti. Ashtu siç një person shikon një pikturë në ekspozitë, ashtu edhe vajza në foto shikon këtë “art” përtej kësaj dritareje. Në këtë rast bëhet fjalë për një “art” të humbur, që para se dikush të shikonte përtej dritares, nuk i njihej ekzistenca… Njohim Kalanë e Petrelës, që është kilometra larg Tiranës dhe nuk e dimë që kemi një ndërtesë, ndoshta po me aq vlera, në qendër të këtij qyteti. Problemi është se dikush ka vendosur ta quajë “tokë të tij”, ta rrethojë këtë vile, apo pse jo, të ndërtojë një bllok pallatesh në një të ardhme të afërme dhe ne jemi mësuar të kënaqemi me pak, të kënaqemi duke parë një mur 10 metra të gjerë e 5 metra të lartë, që e quajmë Kala të Tiranës”, shkruan në konceptin që shoqëron fotografinë Ared Tagani. Për fotografin fitues kishte edhe një shpërblim monetar, stimulues, prej 300 eurosh.
EKSPOZITA
Konkursi fotografik “Mbro dhe promovo”, një iniciativë e revistës “Art dhe Trashëgimi” në bashkëpunim me “Cultural Heritage Without Borders”, Bashkinë e Tiranës etj., u shpall në fund të muajit prill, duke iu drejtuar më së shumti të rinjve. Qëllimi i këtij konkursi ishte tërheqja e vëmendjes së opinionit publik ndaj trashëgimisë kulturore, evidentimit të problematikës, promovimit dhe mbrojtjes së saj. Ky projekt gjeti mbështetjen e përfaqësisë së Bashkimit Europian në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me fotografitë e dhjetë finalistëve në ambientet e “Eu Info Center”, ambasadori i BEsë në Tiranë, Ettore Sequi, tha se trashëgimia kulturore shqiptare i përket tashmë gjithë Europës. “Bashkimi Europian e ndjek me vëmendje trashëgiminë kulturore shqiptare. Ne kemi ofruar 10 milionë euro në vitet e fundit që nga Tirana, në Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat etj. Së fundmi, kjo është një vlerë e veçantë kulturore e trashëgimore, pasi ne kemi përfshirë, ashtu si edhe në këtë ekspozitë, të rinjtë”, tha Sequi, duke premtuar mbështetjen e të tjera aktiviteteve të kësaj natyre. Pas ekspozimit në Tiranë, “Mbro dhe promovo” do të udhëtojë drejt Shkodrës, Beratit e Gjirokastrës. Punët pjesëmarrëse në këtë konkurs u seleksionuan dhe vlerësuan nga një juri profesionistësh e përbërë prej fotografit Leon Çika nga agjencia “Reuters”, Lejla Hadiç, drejtoreshë e Cultural Heritage Without Borders, historiani Mesut Tufanish, drejtor i “SIPA Press” në New York dhe Paris, Hubert Le Forestier, atashe i kooperimit në Ambasadën Franceze në Tiranë, Auron Tare, drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Detare, filozofi e gazetari Shkëlzen Maliqi, kritikja dhe studiuesja e artit Suzana Kuka Varvarica, arkitektja Irsida Bejo, si dhe drejtori i “Art Kontakt”.
Alma Mile
© Panorama.al











