“Komplotet janë organizuar nga Irani”, zyrtarët nuk komentojnë

Jul 21, 2012 | 12:26
Autobusi i izraelitëve i shpërthyer në Burgas

Autoritetet e sigurisë në Nju Jork besojnë se Garda Revolucionare e Iranit apo njerëzit e tyre janë përfshirë deri tani këtë vit në nëntë komplote kundër izraelitëve apo hebrenjve rreth botës, sipas disa dokumenteve sekrete të Policisë të siguruara nga “Reuters”. Raportet e përgatitura këtë javë nga analistët e inteligjencës për Departamentin e Policisë së Nju Jorkut thonë se tri komplote ishin evituar në janar, tre në shkurt dhe tre të tjera në qershor. Ndërsa Departamenti i Mbrojtjes nuk ka dalë në asnjë përfundim zyrtar. Irani e ka mohuar vazhdimisht mbështetjen e sulmeve militante. Dokumentet e Policisë amerikane tregojnë se sulmi i autobusit në Bullgari ishte komploti i dytë që ndodhi këtë vit. Raportimet flasin për dy komplote në Bangkok dhe nga një në Nju Delhi, Tbilisi, Baku, Mombasa dhe Qipro. Secili komplot i është atribuuar Iranit apo aleatëve të tij libanezë, Hezbollahut. Irani e ka mohuar përfshirjen në sulme jashtë vendit, por edhe Hezbollah, ndërsa ka pranuar se sulmon vendqëndrimet e ushtrisë izraelite në jug në Libanit, nuk ka organizuar apo kryer kurrë asnjë sulm jashtë vendit. Nga Bullgaria autoritetet kanë njoftuar se ishte e sigurt që autori i shpërthimit nuk ishte bullgar dhe kërkuan ndihmën e agjentëve të huaj për të zbardhur ngjarjen, mes tyre edhe ata amerikanë. Ndërkohë në Izrael u kryen ceremonitë e fundit përcjellëse për pesë viktimat e shpërthimit.

© Panorama.al

Te lidhura