New Yorku nuk ishte ai që kishim njohur deri atëherë. New Jorku ishte solidariteti.Mes asaj dhimbjeje të madhe, para së cilës gjithçka duket e vogël, e dobët, mes shkatërrimit apokaliptik, dikush e ngriti sërish flamurin. Ishte 11 shtatori i vitit 2001. Ndoshta dita më tragjike që kishin kaluar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një goditje, dy… dhe Nju Jorku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje e gjithë bota nuk do të ishin më ato të mëparshmet. Një akt terrorist i marrë përsipër nga Al Qaeda do të trondiste sigurinë në mbarë njerëzimin. Tragjedia e 11 shtatorit dhe ditëve që pasuan do të rivinte edhe në kujtesën e shqiptarëve përmes një ekspozite të titulluar “Here is New York – The democracy of photographs” (“Këtu është Nju Jorku, demokracia e fotografëve”). Një ekspozitë, që u ngrit bashkë me tragjedinë dhe deri më sot ka shëtitur jo vetëm gjithë Amerikën, por edhe Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Japoninë etj., e cila mbërriti në Tiranë pas 10 vjetësh. Në ekspozitën-homazh, e cila u hap dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, që nga Presidenti Bamir Topi, tek kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha e ish-presidentët Rexhep Meidani e Alfred Moisiu. Ekspozitën e çeli ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili në fjalën e tij falënderoi gjithë shqiptarët për mbështetjen që i kanë dhënë Amerikës në atë ditë të vështirë, kur 3 mijë njerëz humbën jetën, që prej krerëve të shtetit deri tek qytetarët më të thjeshtë, të cilët i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje dhe shprese. “10 vjet më parë, Shqipëria qëndroi e patundur në mbështetje të Amerikës, duke na qëndruar përkrah. Shumë prej udhëheqësve shqiptarë kanë lëshuar mesazhe një ditë më parë, dua t’ju falënderoj për gjestin tuaj. Po aq kuptimplote ishin shprehjet e mbështetjes nga qytetarët shqiptarë, disa më kanë dërguar mesazhe shprese”, theksoi Arvizu, duke shtuar se “ne nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën, por duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht t’i përkujtojmë. Të shtojmë forcat e të luftojmë terrorizimin. Më tej, Presidenti Topi i garantoi mbështetjen ambasadorit amerikan në garantimin e paqes kudo në botë. “Më lejoni të theksoj se çdo shqiptar, që është përkrah jush, ndien të njëjtën krenari në një aleancë të fortë me mikun dhe partnerin më të madh strategjik. Së bashku jemi në sfidat globale kundër terrorizmit”, tha ai, teksa shtoi se “do të jemi gjithmonë së bashku me të njëjtin shpirt e me të njëjtin solidaritet për të vendosur bashkërisht paqen kudo në botë”. Ndërsa Kryeministri Berisha, në emër të gjithë shqiptarëve, shprehu krenarinë e të qenët në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.
Ekspozita

Edhe pas 10 vjetësh, gjithçka duket kaq e pabesueshme. Të papërgatitur, të trembur, me një dhimbje të jashtëzakonshme për të humburit, por shumë solidarë. “Këtu është New Yorku” është në të vërtetë shpirti amerikan. Përmes qindra fotosh vjen dita e shkatërrimit të madh, por edhe shpresa për t’u ringritur. Në ekspozitën e ardhur në Tiranë falë nismës së artistes shqiptare Violana Murataj, paraqiten 793 fotografi nga një shumësi shkrepjesh që përmban kjo ekspozitë, e ngritur nga një grup fotografësh e kuratorësh amerikanë, menjëherë pas 11 shtatorit. E veçanta e këtyre fotografive nuk qëndron thjesht dhe vetëm në atë që ato paraqesin, por edhe në autorësinë e tyre. Jo të gjitha janë të realizuara nga fotografë profesionistë. Shumë syresh mbajnë firmën e fotografëve amatorë, të cilët kanë fiksuar këtë ngjarje të paimagjinueshme. Janë kullat në flakë, menjëherë pas goditjes, armaturat e hekurta që vareshin të pajeta, gërmadha që mbeti prej dy qiellgërvishtësve të famshme dhe portrete njerëzish që përpiqen fillimisht t’i shpëtojnë fundit e më tej zjarrfikës, vullnetarë, ruajtës rendi në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish të mbetur nën gërmadha, të shpëtuar, por edhe të humbur. Shumë syresh, të dhimbshme për t’u parë. Të tjera kishin gjetur artistiken edhe në gërmadhë. Emblematike mes fotografive të përzgjedhura është ajo, ku tre punonjës të ndërhyrjes së shpejtë ngrenë mes gërmadhash flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E pamundur për të përshkruar përmes fjalësh atë çka aparati ka fiksuar dhe e përcjell edhe 10 vjet më vonë, kur njerëzit nuk kanë harruar, por po përpiqen të shërojnë plagët. Për ngritjen e kësaj ekspozite në Tiranë ndihmoi pa dyshim Ambasada e SHBA dhe një nga kuratorët e kësaj ekspozite, Charles H. Traub, i cili pranoi bashkëpunimin me artisten shqiptare Violana Murataj.
ALMA MILE




























