Akomodim të sigurt dhe risi në trajtimin ushqimor për 2200 studentët që do të akomodohen në godinat e konvikteve të Inxhinierisë për vitin e ri akademik. Të tetë godinat janë të pajisura me kamera sigurie e shumë shpejt edhe internet. Drejtori i Ndërmarrjes Nr. 2 të trajtimit të studentëve, Luçiano Qafoku, në intervistën e tij për gazetën, shpjegon prioritetet në investime, në mënyrë që studentëve t’u ofrohen sa më shumë shërbime me kosto të ulët.
Pas një vizite në godinat e konvikteve të Inxhinierisë duket se jemi përballë ndërhyrjeve rrënjësore në infrastrukturë. Mund të na thoni cilat janë ato dhe çfarë përfitimesh do të kenë studentët për vitin e ri akademik?
Në fakt, ka një ndryshim jo vetëm sasior, por edhe cilësor, do të thosha. Prej dy vjetësh, në të gjitha godinat është instaluar sistemi i kamerave. Kjo për të garantuar siguri maksimale për studentët. E mora këtë iniciativë që me marrjen e detyrës, pasi në varësi kemi më shumë godina vajzash sesa djemsh, dhe prindërit vazhdimisht interesoheshin për sigurinë e tyre. Po kështu, është ndërhyrë në rikonstruksionin e ambienteve. Mund të them që është ndërhyrja e parë që pas viteve ‘90 dhe kemi arritur të rehabilitojmë në 90% të gjitha godinat që ishin në një gjendje të mjerueshme. Është bërë shtrimi me pllaka. Dhomat janë kompletuar me dritare, dyer, shtretër e dollapë të rinj. Pra tashmë, studentët, sa i përket akomodimit, kanë gjithçka që u nevojitet. Po kështu, atyre u garantohet ujë dhe drita 24 orë.
Sa studentë do të prisni këtë vit dhe cilat do të jenë disa prej shërbimeve të reja që do t’u ofrohen atyre?
Në total ne presim këtë vit akademik 2200 studentë. Ky numër është brenda kapaciteteve që ne ofrojmë në të tetë godinat e studentëve. Prej tyre, gjashtë janë të vajzave dhe dy të djemve.
Regjistrimet nisin zyrtarisht në fund të shtatorit. Për këtë vit mbyllim shtrimin me pllaka për disa godina dhe po kështu përfundojmë ndërtimin e tri fushave sportive, në mënyrë që t’u krijojmë studentëve ambiente çlodhëse. Brenda një kohe shumë të shkurtër përfundon pajisja e çdo godine me internet. Sallat e studimit janë të përshtatshme në çdo godinë, duke u mundësuar studentëve në këtë mënyrë cilësi studimi. Pra, mund të them se për të gjithë ata studentë që do të strehohen në konviktet tona, ofrohet cilësi, siguri, higjienë, ambiente të përshtatshme.
Studentët përgjithësisht zgjedhin shtëpitë me qira për të pasur më shumë kushte, por ndërkaq, tarifat janë më të shtrenjta dhe një pjesë e mirë e tyre nuk i përballojnë dot. Me çfarë “konkurrojnë” konviktet në këmbim?
Tarifa e akomodimit është 35 000 lekë. Shërbimi mjekësor ofrohet 24 orë nga mjeku dhe personeli i mesëm. Po kështu ofrohet shërbim nga zyra e çështjeve sociale me tre punonjës socialë. Do të përmendja edhe shërbimin e lavanterisë, i cili është brenda çdo godine dhe ofrohet me dy turne. Do të doja të theksoja se ajo çka kemi bërë gjatë këtyre dy viteve ka qenë një plotësim i vetë kërkesave të studentëve me të cilët ne kemi kryer takime të njëpasnjëshme. Filozofia jonë nuk ka qenë që të marrim parasysh vetëm kërkesat e degëve të ndryshime, por, mbi të gjitha, të plotësojmë nevojat e studentëve sepse ata janë përfituesit e shërbimeve dhe prioriteti ynë është që ata të mbeten të kënaqur me kushtet në konvikte. Risi për këtë vit do të jetë menaxhimi i një forme krejt të re për ofrimin e ushqimit në mensën e studentëve. Është bërë një investim kolosal dhe për herë të parë studentëve tanë do t’u ofrohet shërbimi i ushqimit në dhomë apo me tarifa mujore; çka do të thotë se nëse janë duke studiuar dhe nuk duan të dalin nga dhoma, ushqimi do t’u dërgohet sipas porosive. Ndërsa në rast se paguajnë një tarifë të caktuar mujore, ata do të kenë të siguruara vaktet me një cilësi shumë të mirë dhe kosto të ulët. Sigurisht, çmimet do të jenë sa gjysma e atyre normale. Mensa është drejt përfundimit.











