Një ekspozitë e veçantë çelet nesër në Muzeun Historik Kombëtar. Një aktivitet ku ka shumë dashuri dhe shumë flamuj. “1+1: Jetë dhe Dashuri” është veprimtaria e parë e përbashkët e 11 muzeve të Ballkanit Perëndimor (Muzeu Kombëtar i Beogradit, Novi Sadit, Sarajevës, Zenicës, Banja Lukës, Maqedonisë, Prishtinës, Gjakovës, Cetinjës, Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës dhe Muzeu Historik i Shkodrës), i iniciuar nga fondacioni suedez “Trashëgimi kulturore pa kufij”, që trajton të njëjtën temë dhe çelet në të njëjtën ditë e orë (11 mars 2011, ora 18:00). Në ekspozitë janë paraqitur punime artistike, të realizuara nga të rinj dhe e gjithë ekspozita u drejtohet atyre. Numri 11 bashkon 11 muze dhe 11 ekspozita që çelen më datë 11 të vitit 2011. Ideja e një ekspozite me një tematikë të përbashkët ka lindur tri vjet më parë, kur punonjës të këtyre muzeve, duke u mbështetur në frymën e bashkëpunimit dhe pajtimit, vendosën të punojnë së bashku. Me këtë ekspozitë është mundësuar komunikimi përmes lidhjes në internet e 11 ekspozitave, në 11 muze të kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore ballkanike. Ekspozita në Tiranë kurohet nga Enver Kushi, Fatmir Boshnjaku, Entela Kasemi dhe Sali Kadria. Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë synon edukimin e të rinjve përmes veprimtarive ndërvepruese dhe performancave të ndryshme, ku secili të ketë mundësinë që të jetë pjesë e saj dhe së bashku të ndajmë momente të këndshme, duke e bërë muzeun një vend tërheqës.











