“Islami” nuk parashikohet në statut

Dec 18, 2011 | 10:41

Statuti i Partisë Socialiste përcakton qartë rastet kur një deputet mund të çregjistrohet nga Grupi Parlamentar.

Në dokumentin e rregullave të PS, në nenin 36 të tij, përcaktohen mënyrat e votimit, kur deputetët mund të votojnë në mënyrë të pavarur dhe kur votimi konsiderohet një vendim politik i Grupit. Në pikën 4 të këtij neni, statuti përcakton qartë se cilat janë rastet kur vendimit politik të grupit, pas shkeljes së të cilave për deputetin socialist, merret vendimi për çregjistrim. “a. miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar; b. miratimi i buxhetit të shtetit; c. votëbesimit për qeverinë, përbërjen dhe programet që ajo paraqet; ç. zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore; d. çështje të tjera me rëndësi të veçantë, që vlerësohen si të tilla nga Grupi i PS-së”, thuhet në statutin e PS. Ditën e enjte, gjatë seancës plenare në Parlament, deputeti socialist Kastriot Islami nuk ishte prezent në momentin e votimit të Bujar Leskajt, kandidatit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Leskaj zgjidhej në këtë post me shumicën e deputetëve në Parlament, ndërsa vota pro ose kundër e deputetëve socialistë në këtë seancë nuk kishte asnjë efekt politik, që mund të çonte në rrëzimin e kësaj kandidature. Edhe nëse Islami do të kishte marrë pjesë në votim dhe do të kishte votuar kundër, ashtu siç bënë dhe deputetë e tjerë të Grupit Parlamentar socialist, Leskaj do të miratohej, pasi nga votat opozitare mungonte dhe deputeti Pandeli Majko, Rudina Seseri, por dhe deputeti i pavarur Dritan Prifti. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, bashkoi votën e tij me maxhorancën, pro kandidatit të maxhorancës, duke rrëzuar në këtë mënyrë çdo hamendësim se me disa vota abstenim nga e djathta, do të rrëzohej kjo kandidaturë. Por votimi për kreun e KLSH-së nuk përbën ato raste të përcaktuara në statutin e PS për të marrë një vendim politik si grup e të shprehur në votim. Madje, Islami dhe Harasani kanë thyer kohë më parë një vendim politik të Grupit të PS për të lënë bojkotin e Parlamentit, duke marrë pjesë në seancat plenare e duke votuar kundër buxhetit të qeverisë Berisha. Atëherë nuk pati asnjë masë disiplinore ndaj tyre.

BLUSHI E MALAJ VOTUAN FULLANIN

Dy deputetët socialistë Ben Blushi dhe Arben Malaj votuan pak javë më parë pro kandidaturës së Ardian Fullanit për guvernator të Bankës së Shqipërisë. Grupi Parlamentar socialist kishte vendosur votim kundër Fullanit, ndërsa dy deputetët dolën kundër këtij vendimi. Asnjë masë nuk u mor për ta. Por ishte ky votim që detyroi kreun e PS që të konsiderojë këtë votim në kundërshtim me vendimin politik të Grupit si të fundit, pas të cilit do të zbatohej statuti për çdo shkelje.

STATUTI I PS

Neni 36

3. Shkallën e autonomisë së anëtarëve të vet për votimin në seancën parlamentare, Grupi vendos paraprakisht, sipas rëndësisë dhe natyrës së projektligjit që shqyrtohet. Vendimi politik i marrë më shumicën e votave në mbledhjen e GPS është i detyrueshëm për zbatim prej tyre.

4. Në rastet e mospjesëmarrjes, votimi kundër dhe abstenimi ndaj vendimit politik për çështje të tilla, si: a. miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar; b. miratimi i buxhetit të shtetit; c. votëbesimit për qeverinë, përbërjen dhe programet që ajo paraqet; ç. zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore; d. çështjet të tjera më rëndësi të veçantë që vlerësohen si të tilla nga Grupi i PS-së. Deputeti çregjistrohet menjëherë nga GPS

5. Në rastet e pikës “d”, deputeti mund të kërkojë, por jo më parë se një vit, revokimin e masës në Kryesinë e Grupit të PS, e cila është e detyruar ta shqyrtojë dhe të marrë vendimet përkatëse. Vendimi i Kryesisë së Grupit të PS-së miratohet në Kryesinë e PSSH-së.

ZBATIMI I FUNDIT I STATUTIT

Çregjistrimi i fundit i deputetëve në PS ka ndodhur në 2007. Gjashtë deputetë të PS-së që votuan pro kandidaturës së Bamir Topit për President kundër vendimit politik të Grupit Parlamentar, u çregjistruan nga grupi. Pas votës pro Topit, në një mbledhje Kryesie dhe një mbledhje të pjesshme të Grupit socialist, kreu socialist Rama shpalli çregjistrimin e tyre, por pa e hedhur në një votim të deputetëve dhe pa i ftuar gjashtë deputetët në mbledhjen e Grupit.

Gjon Bardhi: Që të lë Bashkinë, do flas më parë me Edi Ramën

Kryetari i Bashkisë së Fushë- Krujës, Gjon Bardhi, i mandatar nga Partia Socialiste mund të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai do të zëvendësojë Rudina Seserin, e cila dorëzoi mandatin e saj për shkak të angazhimeve të tjera në SHBA. Por Bardhi u zgjodh më 8 maj kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës. Që të bëhet deputeti i Parlamentit, Bardhi duhet të lërë mandatin e bashkiakut. Në një intervistë për “Panorama”, Bardhi shprehet se do të konsultohet më parë me elektoratin dhe kreun e PS, Edi Rama, para se të marrë vendimin e tij. “Kandidimi im për deputet, por edhe për kryetar Bashkie, ka ardhur nga strukturat e PS–së së Fushë–Krujës dhe nga kryetari i PS–së, Edi Rama. Në këto kushte, unë do i respektoj të dyja palët, do bashkëbisedoj me strukturat e PS–së në Fushë-Krujë dhe me kryetarin Rama për të vendosur më pas mbi mandatin tim, nëse do vazhdoj të qëndroj në drejtimin e Bashkisë apo do marr pjesë në Parlament. Për mua e rëndësishme është t’i shërbej më mirë elektoratit tim dhe qytetarëve të Fushë-Krujës, pasi u jam borxhli si për mandatin e kryebashkiakut, por edhe për votimin për mandatin e deputetit”, shpreh Bardhi. Kryetari i Bashkisë së Fushë- Krujës e cilëson lënien e mandatit nga Rudina Seseri si pamundësi për të realizuar të gjitha premtimet që kishte bërë gjatë fushatës. “Është mendimi i saj dhe nuk kam asnjë koment, përderisa nuk më ka marrë mendim dhe nuk kam biseduar me të. Megjithatë, me sa e njoh unë, Rudina është këmbëngulëse për realizimin e pretimeve gjatë fushatës. Dhe, duke qenë në opozitë, mendoj se e ka pasur të pamundur të realizojë ato premtime që i ka bërë elektoratit, pasi është njeri me integritet dhe e vendosur”, u shpreh kreu i Bashkisë së Fushë-Krujës.    a.b.

© Panorama.al

Te lidhura