“Importi i mbetjeve, BE na mbështet për ligjin”

Dec 6, 2011 | 11:30

Ministri Mediu me komisionerin Potocnik

“Kërkesa për referendum është thjesht një veprim populist”

Ligji për menaxhimin e integruar të e mbe-tjeve është brenda standardeve të Bashkimit Europian. Këtë vlerësim ka dhënë gjatë takimit në Bruksel me ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu, komisioneri për Mjedisin, Janez Potocnik. Prej disa javësh shoqëria civile kundërshton me forcë importin e mbetjeve. Përballë këtyre dy qëndrimeve, në një intervistë për gazetën, ministri Mediu jep detajet e këtij takimi, duke ftuar ekspertët e fushës që të bashkëpunojnë me analiza e sugjerime të argumentuara.
Zoti ministër, para pak ditësh kishit një tryezë në Bruksel me komisionerin për Mjedisin, Janez Potocnik. Ishte një raportim nga ana juaj për zhvillimet e fundit mjedisore në Shqipëri, apo një kërkesë për ndihmë me fonde dhe ekspertizë mjedisore, drejtuar BE-së?
Takimi me komisionerin Potocnik në radhë të parë ishte një takim politik, ku para së gjithash u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Gjithashtu u diskutua për situatën mjedisore në Shqipëri, kryesisht për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, mbështetjen që është ofruar në mënyrë të veçantë për këtë pjesë, duke filluar nga institucionet qeveritare  e deri në sektorë të veçantë mjedisorë. Ishte një takim i frytshëm në të dy spektrat që ne prekëm gjatë bisedimeve. Duke u fokusuar në trajtimin e mbetjeve, dua të theksoj se me komisionerin Poticnik diskutuam gjithashtu lidhur edhe me një ide të re të trajtimit të mbetjeve, që po përqafon tashmë gjithë Europa e domosdoshmërisht duhet të përafrojë edhe Shqipëria. Koncepti i trajtimit të mbetjeve në landfild-e deri tani ka qenë dominues, por politikat e reja në këtë drejtim insistojnë në një Europë pa landfild-e, duke i dhënë prioritet riciklimit të mbetjeve për të përfituar maksimalisht prej tyre. Në shumë vende të Europës, impiantet e mëdha të cilat kanë jo vetëm kosto por edhe ndikim në disa raste jo pozitiv në mjedis, janë zëvendësuar me fabrika të mëdha riciklimi. Edhe Shqipëria duhet të ecë paralelisht me këto politika
Çështja që ka tërhequr më shumë vëmendjen e opinionit publik, është ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, pikërisht pika për importin e mbetjeve. Cili ishte gjykimi i komisionerit në lidhje me këtë pikë?
Komisioneri Potocnik ndau të njëjtën bindje me ne, që ligji është në përputhje me direktivën europiane. Dhe këtë qëndrim komisioneri e mbajti pas analizës që DG enviorment i ka bërë legjislacionit. Kjo strukturë ka vlerësuar se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Qeveria shqiptare i ka mbyllur derën importit të pakontrolluar të mbetjeve. Nga 484 lloje mbetjesh që importoheshin më parë, tashmë lista është reduktuar në 55, që i përkasin listës së gjelbër. Janë rregulla që zbatohen me rigorozitet. Po kështu qeveria shqiptare ka përcaktuar edhe një procedurë për lejet mjedisore, të cilën në fakt nuk e kanë as disa prej vendeve më të zhvilluara të BE, te të cilat lejet e importit i lëshon ministri i Mjedisit, ndërsa në Shqipëri mund të merret vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne këto masa që zbatohen me rigorozitet, do të na duhet t’i heqim gjatë procedurave të anëtarësimit.
Atëherë, përse është bërë gjithë kjo zhurmë nga shoqëria civile lidhur me këtë ligj, zoti Mediu?
Unë e vlerësoj shqetësimin e shoqërisë civile, sepse kjo e ngre nivelin e diskutimeve për çështjet mjedisore në Shqipëri dhe pa diskutim që na vë përpara një përgjegjësie më të madhe. Por nuk e kuptoj se si një grup njerëzish që ka qëndruar në heshtje kur në Shqipëri importoheshin 434 lloj mbetjesh të rrezikshme pa asnjë procedurë, akuzojnë pse ne lejojmë 55 lloje mbetjesh që i përkasin listës së gjelbër. Më duket pa kuptim. Ndoshta kjo vjen nga padija e një pjese apo nga qëllimet personale të një pjese tjetër. Gjithsesi, unë kam një thirrje për të gjithë ekspertët e fushës: të analizojnë 55 mbetjet e listës së gjelbër, për të cilat lejohet importi. Nëse gjykojnë se ndonjë prej tyre paraqet rrezikshmëri, Ministria e Mjedisit mirëpret të gjitha sugjerimet apo vërejtjet e argumentuara dhe jemi gati të ndërhyjmë të përmirësojmë këtë listë.
Ndërkohë që diskutonit në Bruksel me komisionerin Potocnik, në Tiranë dorëzohej pranë KQZ-së një kërkesë për referendum nga Aleanca kundër Plehrave. Si e gjykoni këtë veprim të shoqërisë civile?
E konsideroj një veprim populist, që s’ka të bëjë me ligjin për mbetjet apo të vërtetën. Përpara se të bëhet kjo kërkesë, mendoj se pjesë e saj duhet të jenë dy pyetje thelbësore. Jeni dakord që Shqipëria të importojë 434 lloje mbetjesh apo 55 të tilla? Jeni për vendosje të procedurave ligjore për importin e mbetjeve apo për moszbatimin e një të tille, siç ndodhte më parë. Nëse grupi që ka bërë kërkesën u përgjigjet këtyre pyetjeve apo i përfshin ato në referendum, jam i sigurt se do të marrë përgjigjen e shqiptarëve.
Ju jeni i pari që keni kërkuar me forcë krijimin e një fondi mjedisor. A mund të na thoni çfarë do të jetë ky fond, çfarë është bërë deri tani në këtë drejtim?
Ajo çka ne synojmë të arrijmë me krijimin e fondit mjedisor, është angazhimi i integruar i të gjithë institucioneve, në mënyrë që investimet në fushën e mjedisit të jenë të përqendruara mbi një koncept të përbashkët. Sot janë rreth 135 milionë dollarë  investime të buxhetit të shtetit të orientuara në shumë drejtime, në shumë institucione, shumë ministri. Janë fonde që përdoren për administrim të mbetjeve urbane, trajtim të ujërave të ndotura, ndërtim infrastrukture, përmirësim i cilësisë së ajrit. Prandaj është më se i domosdoshëm krijimi i fondit të mjedisit për ato çka përmenda, por edhe për të tërhequr më shumë donatorë, pasi me anë të këtij fondi i jepet mundësi pushtetit vendor që nëpërmjet granteve mjedisore të hartojë projekte me më shumë impakt. Në këtë mënyrë kemi një këndvështrim sektorial për çështjen e mjedisit, por njëkohësisht angazhim drejtpërdrejt të pushtetit lokal nëpërmjet projekteve apo dhe subjekteve private, të cilat janë të interesuara për të investuar në çështjet mjedisore. Kemi rënë dakord parimisht për të përgatitur kuadrin ligjor në lidhje me krijimin e këtij fondi, ku kemi marrë edhe ekspertizë nga të huajt dhe do ta dërgojmë pranë Këshillit të Ministrave shumë shpejt. Dua të theksoj se do të jetë një bord nga i cili do të varet ky fond mjedisor, që do të marrë vendimet për mënyrën si do të investohet ai në funksion të zhvillimit të mjedisit.
Zoti Mediu, pritet të ndryshojë marrëdhënia juaj si institucion me Bashkinë e Tiranës nën drejtimin e zotit Basha, duke përfshirë këtu mjedisin, menaxhimin e mbetjeve landfild-in e sharrës apo Liqenin Artificial?
Bashkëpunimi me pushtetin vendor është i domosdoshëm në të gjitha hallkat institucionale. Konstatoj me kënaqësi se zoti Basha që në fillimet e tij si kryebashkiak shpalli mjedisin si prioritet kryesor. Kjo u dëshmua edhe me mbylljen e punimeve në sheshin “Skënderbej” që kishin impakt të madh në mjedis, apo me ndërhyrjet e bëra te Liqeni Artificial. Me këtë frymë Ministria e Mjedisit hyn në një tjetër raport më Bashkinë e Tiranës. Madje jemi drejt përfundimit të një memorandumi bashkëpunimi për trajtimin dhe diskutimin e çështjeve mjedisore.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura