“I sëmurë mendor”, Kukan: Se besoj që Daul të jetë shprehur ashtu për Ramën

Dec 10, 2011 | 14:08
Eduard kukan

Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, ka hedhur hije dyshimi për deklaratën e Jozef Daul në adresë të kryesocialistit Edi Rama. Sipas Kukan, gjuha e përdorur nuk ngjason me deklaratat e kryetarit të grupit të djathë të PE-së, Jozef Daul. “Unë e njoh zotin Daul personalisht, është kryetari i forcës sime politike dhe kemi qenë bashkë në shumë situata. Ai është një person me shumë cilësi të mira dhe një xhentëlmen i vërtetë. Daul nuk përdor atë gjuhë, siç përmendet në atë deklaratë. Për mua është e vështirë të besoj se kjo është një deklaratë e tij. Nuk ka se si të ketë ardhur një deklaratë e tillë”, deklaroi Kukan. Ndërkaq, eurodeputeti Kukan kërkoi që kjo ngjarje të zbardhet sa më parë, në mënyrë që të shmangen keqkuptime të tilla. “Një miku im, që ka qenë prezent në këtë takim, më ka pohuar se Daul nuk e ka thënë një deklaratë të tillë gjatë fjalës së tij, nuk ka dhënë asnjë intervistë për shtypin. Jam i sigurt që e vërteta do të dalë shumë shpejt dhe sigurisht, çfarëdo që të jetë e nevojshme do të behet e do të korrigjohet, dhe do të jetë e kënaqshme për personin që përmendet në këtë deklaratë. Kjo është një përgjigje personale dhe shumë e sinqertë nga ana ime”, pohoi Eduard Kukan.

Dialogu politik
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, nënvizoi domosdoshmërinë e vijimit të dialogut politik. “Është e nevojshme për Shqipërinë që të kapë trenin tjetër që shkon për në BE. Takimi i sotëm duhet parë si një përpjekje e PE-së për të ndihmuar vendin tuaj”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura